Nga Kavaja deri në Sarandë, “Eli Eksport” lidh 400 fermerë të kastravecit konishon me tregjet ndërkombëtare

TIRANË, 10 maj /ATSH/ Në zemër të Myzeqesë, aty ku toka është bujare dhe puna në serra nuk ndalet thuajse asnjë ditë të vitit, një model bashkëpunimi mes fermerëve dhe sipërmarrjes po jep rezultate konkrete.
Pika e grumbullimit “Eli Eksport”, e ngritur në Lushnjë, është kthyer në një hallkë të rëndësishme që lidh prodhimin vendas me dhjetëra tregje europiane, duke garantuar shitje të sigurt dhe të ardhura të qëndrueshme për qindra familje.
Një rrjet që rritet çdo vit nga Kavaja në Sarandë
Nga Kavaja në Poliçan e deri në Sarandë, mbi 400 fermerë janë bërë pjesë e bashkëpunimi me pikën e grumbullimit “Eli Eksport”, duke kultivuar më shumë se 100 hektarë serra me kastravec konishon, një kulturë e vogël në përmasa, por me vlerë të madhe në eksport dhe shumë e kërkuar nga tregjet e huaja.
Ekipi i ATSH-së e vizitoi nga afër këtë sipërmarrje ku u njoh me punën e palodhur të fermerëve dhe sipërmarrësit Ilir Rukaj, që na tregoi se aktivitetin e ka nisur në shkallë të vogël, por që e ka zgjeruar ndjeshëm në pesë vitet e fundit.
“Kam 20 vite që merrem me eksportin e fruta-perimeve, por 5 vitet e fundit jam fokusuar te kastraveci konishon. Aktiviteti ka ardhur duke u zgjeruar gradualisht. Fillimisht e nisëm me rreth 15 hektarë, ndërsa sot kemi mbi 100 hektarë serra dhe synojmë të arrijmë në 8 mijë tonë prodhim në vit, që shkon për eksport”, thotë Iliri.
Sipas tij, rritja është e lidhur drejtpërdrejt me kontratat e sigurta dhe bashkëpunimin afatgjatë me fermerët.
“Ajo që e bën këtë model tërheqës për fermerët është siguria që u ofron: treg i garantuar, çmime të qëndrueshme dhe pagesa të rregullta përmes bankës. Ndryshe nga tregu i lirë, ku luhatjet janë të shpeshta, kontratat e bashkëpunimit u japin fermerëve besim për të investuar dhe zgjeruar prodhimin”, na tregon Iliri.
Eksporte në 80 fabrika europiane. Cilësi e lartë “zero kthime” në eksport
Kastraveci konishon i prodhuar në serrat e Myzeqesë ndjek një proces të rreptë kontrolli, nga fara deri në eksport. Rezultati është domethënës: në pesë vite eksporti nuk është kthyer asnjë ngarkesë për shkak të problemeve me cilësinë apo mbetjet e pesticideve.
Iliri na tregon se produktin shqiptar të kastravecit konishon e eksporton në rreth 80 fabrika europiane, në vende si Franca, Polonia, Zvicra, Çekia, Italia, e tjerë në bashkëpunim me një kompani austriake.
“Kemi kërkesë të lartë nga tregjet për sasi konishoni dhe deri tani kemi zero kthime në eksport, sa i takon mbetjeve të pesticideve në produkt”, thekson Iliri, teksa shton se kjo është garanci për cilësinë dhe jep akses për zgjerimin e eksporteve në tregjet me vlerë të shtuar ku dhe kërkesat po vijnë gjithë e në rritje për këtë varietet.
Sipas tij, kjo arritje i adresohet punës rigoroze që bëjnë agronomët dhe ekspertët e “Eli Eksport” në çdo hap të prodhimit, nga fara të cilën fermerët e marrin të subvencionuar nga kompania, kontrolli për përdorimin e inputeve, e deri në tregtim. Ndërsa analizat laboratorike kryhen rregullisht në laboratorë të certifikuar në Bari të Italisë.
Prodhimi nis me mbjelljen në mars, vijon me grumbullimin nga mesi i prillit dhe kulmon gjatë verës, kur nga kjo pikë nisen deri në 5–6 kamionë në ditë drejt Europës, me një volum që arrin deri në 100 tonë në ditë.
Fermeri Ledian Kushi: “Shitja dhe pagesa janë të sigurta, kemi stabilitet”
Për fermerët, ky model i ri i bashkëpunimit bujqësor ka sjellë stabilitet dhe garanci në shitje. Ata theksojnë se ndryshimi më i madh është siguria financiare dhe kontraktuale.
Në fshatin Gorrenjë të Lushnjës, fermeri Ledian Kushi është një nga bashkëpunëtorët e pikës së grumbullimit “Eli Eksport”, i cili prej tre vitesh kultivon perime për eksport, me fokus te kastraveci konishon për turshi.
Ledianin e gjetën tek pika e grumbullimit, teksa po shkarkonte prodhimin e mbledhur nga serrat e tij.
Ai na tregoi se aktualisht zotëronte rreth dy hektarë serra, të ngritura me mbështetjen e AZHBR përmes programit IPARD 2, ku kultivon produkte të ndryshme bujqësore, ndërsa dy vitet e fundit falë bashkëpunimit me “Eli Eksport” kishte gjashtë dynymë serra të mbjella me kastravec për eksport.
“Ndihemi mirë sepse është një produkt që shitet, na krijon të ardhura të kënaqshme. Shitja është e sigurt, pagesa është e sigurt”, shprehet fermeri.
Sipas tij, bashkëpunimi me kompaninë ka sjellë stabilitet në prodhim dhe treg.
“Bashkëpunimi që kemi nisur është një aktivitet i qëndrueshëm dhe ka siguri në treg dhe ecuri. Kemi tre vite që bashkëpunojmë dhe synojmë ta zgjerojmë më tej”, thotë Kushi.
Ai thekson gjithashtu ndryshimin mes tregut të lirë dhe kontratave të bashkëpunimit.
“Deri dje kemi punuar në treg të hapur, por ai nuk është asnjëherë i sigurt, sepse ka luhatje në shitje, pagesa dhe fitime. Kurse me kontratën e bashkëpunimit që kam sot me pikën e grumbullimit, çdo gjë është e sigurt dhe e rregullt”, shprehet ai.
“Kam katërfishuar prodhimin” – dëshmia e fermerit nga Krutja
Lili Koço, fermer nga Krutja e Lushnjës, tregon për përvojën e tij shumëvjeçare në bujqësi dhe ndikimin që ka sjellë bashkëpunimi me kompaninë “Eli Eksport” në fermën e tij.
“Jam një nga fermerët e vjetër të zonës dhe më parë kam punuar specialist i bujqësisë në kooperativë. Me këtë model që është krijuar ndihem sikur jam në një kooperativë të tipit të lartë të prodhimit bujqësor, nga mënyra si menaxhohet produkti, si jepet informacioni për teknologjitë, përdorimi i inputeve bujqësore, deri te shitjet”, shprehet ai për ATSH-në.
Nushi thekson se bashkëpunimi me kompaninë ka sjellë rritje të ndjeshme të prodhimit dhe siguri në treg.
“Në fermën time prodhoj kastravec dhe është viti i katërt që bashkëpunoj me kompaninë “Eli Eksport”. Thuajse kam katërfishuar prodhimin. E kam nisur me 1 dynym dhe sot kam 5 dynymë. I gjithë prodhimi është i kontraktuar dhe i shitur”, thotë ai.
Sipas tij, modeli i bashkëpunimit i ka dhënë stabilitet ekonomik dhe motivim për zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit.
“Ky bashkëpunim na pëlqen dhe, megjithëse jam në pension, dua të shtoj prodhimin, sepse rrit të ardhurat”, përfundon fermeri.
Zgjerimi drejt përpunimit dhe ciklit të plotë bujqësor
Iliri thotë se synimi i radhës është zgjerimi i aktivitetit drejt përpunimit të produkteve bujqësore, për të rritur vlerën e eksportit.
“Dua të zgjeroj magazinën dhe përpunimin, që të mos eksportojmë vetëm produkte të freskëta, por edhe të përpunuara. Kjo rrit vlerën “Made in Albania” dhe të ardhurat e fermerëve”, thekson ai.
Aktualisht, pas kastravecit, aktiviteti i pikës së grumbullimit vijon me klementinën (mandarinën) dhe lakrën e Brukselit, duke krijuar një cikël të plotë sezonal eksporti dhe një model të qëndrueshëm bashkëpunimi në bujqësi.
Në Myzeqe, “Eli Eksport” po dëshmon se me kontrata të qarta, standarde të larta dhe bashkëpunim të ngushtë me fermerët, bujqësia shqiptare mund të jetë konkurruese në tregjet më të kërkuara të Europës.
Serrat dhe fermerët e kastravecit konishon në Lushnjë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 41/e.xh/j.p/r.e/