Inflacioni në qershor 3,2%, ndikim kryesor ushqimet dhe argëtimi

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Instituti i Statistika bën të ditur se inflacioni në qershor arriti në 3,2%, statistikë e matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot, ndikimin më të madh në rritjen çmimeve e dha grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një kontribut prej 1,02 % dhe rritje vjetore të çmimeve prej 2,9%.
Në rritjen e inflacionit kontribuan gjithashtu grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 0,65 % si edhe “Restorante dhe shërbime akomodimi”, me kontribut 0,56%
Rritje të çmimeve u regjistruan edhe te grupet “Pije alkoolike dhe duhan” (4,9%), “Transporti” (1,9%), “Shërbimi arsimor” (3,3%), “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” (3,8%) dhe “Shëndeti” (1,9%), të cilat dhanë kontribut pozitiv në normën vjetore të inflacionit.
Në krahasim me muajin maj, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit shënoi një ulje prej 0,1% në qershor.
Rënia mujore u ndikua kryesisht nga ulja e çmimeve në grupin “Transporti” me 2,1%. Po ashtu, çmimet ranë në grupet “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0,8%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,6%, si dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Veshje dhe këpucë”, me nga 0,5% secili.
Nga ana tjetër, rritje mujore të çmimeve u regjistruan në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë” me 3,2%, i ndjekur nga “Shërbimi arsimor” me 0,7%, si dhe grupet “Shëndeti” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi”, me nga 0,5% secili.