E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Burimet Natyrore miraton tre projektligje për tregun financiar dhe pronësinë industriale

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, nën drejtimin e kryetares Anila Denaj, miratoi tre projektligje që lidhen me transparencën në tregun financiar dhe forcimin e kuadrit ligjor për pronësinë industriale.

Në mbledhjen e radhës, komisioni shqyrtoi fillimisht projektligjin “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”, ku i pranishëm ishte zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, së bashku me stafin shoqërues.

Kajo u shpreh se projektligji synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e tregut të kapitaleve, duke vendosur kërkesa më të qarta për transparencën e emetuesve të titujve.

Sipas tij, nisma parashikon detyrime për publikimin në kohë të informacionit financiar dhe jofinanciar, me qëllim rritjen e besimit të investitorëve, mbrojtjen e tyre dhe garantimin e një funksionimi më efikas e transparent të tregut financiar.

Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Më tej, komisioni shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 7.7.2008 ‘Për pronësinë industriale’, të ndryshuar”, me nismë të deputetes Ilva Gjuzi.

Ky projektligj synon plotësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e sekreteve tregtare, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke garantuar mbrojtje më efektive për informacionin tregtar të pazbuluar dhe njohuritë teknike me vlerë ekonomike për subjektet tregtare.

Nisma synon gjithashtu adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian në kuadër të procesit të screening-ut për Kapitullin 7 “Pronësia Intelektuale”, përmes përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me Direktivën (BE) 2016/943.

Në vijim, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për disenjot”, i cili synon modernizimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e disenjove industriale, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Projektligji përcakton rregulla më të qarta për regjistrimin, mbrojtjen dhe administrimin e të drejtave mbi disenjot, duke krijuar kushte më të favorshme për nxitjen e inovacionit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe forcimin e mbrojtjes së pronësisë industriale.

Pas shqyrtimit dhe diskutimeve, edhe ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›