E Shtunë, 31 Tetor 2026

Info/kult

“Y generation”- tregohet në burg

Edicioni i pestë i “Giffoni Shqipëria” ka ndaluar edhe në qytetin e Elbasanit. Pas Shkodrës dhe Durrësit, nxënës të përzgjedhur nga shkollat e këtij qyteti kanë ndjekur në kinema “Millenium” projeksionet e prodhimeve kinematografike botërore më të mira të dy viteve të fundit që vijnë nga Spanja, Holanda, SHBA, Australia dhe Italia që shfaqen në seksionet "Free to fly" dhe "Y generation", që u drejtohen përkatësisht grupmoshave 12-15 dhe 15-19 vjeç. Rrugëtimi i “Giffon”-it në këtë qytet tashmë është i përvitshëm. Në konferencën për shtyp, organizuar në bashkinë e qytetit, kryetari Qazim Sejdini u shpreh se “është kënaqësi që “Giffoni” është kthyer pjesë e traditës së qytetit. Prej dy vitesh, kanë qenë të vazhdueshme përpjekjet e bashkisë për t’i dhënë më shumë larmi jetës kulturore, por kthimi i të rinjve te kinemaja është një ndërmarrje e vështirë, ndaj kontributi modest që të mirëpresim këtë festival, është një detyrim për ne”. Pas Elbasanit, organizatorët kanë menduar për një projeksion të veçantë të një prej filmave të këtij edicioni të pestë. Dje, paradite, në burgun e të rinjve në Kavajë do të ketë një projeksion special të filmit “Broken Hill”. Namik Ajazi, drejtori i festivalit, shprehet se kjo është një mundësi që këta të rinj ta ndjekin, të reflektojnë e të japin mendimet e tyre mbi këtë film, ngjarjet e të cilit zhvillohen në burg. “Broken Hill” një realizim australian i 2009-ës, është shkruar dhe realizuar me regji të Dagen Merrill dhe interpretuar nga kasti i aktorëve Luke Arnold, Timothy Hutton, Alexa Vega etj. Në edicioin e 39-të të “Giffoni Film Festival” në Itali, ka marrë çmimin e filmit më të mirë. Tomi është një djalosh që ka lindur dhe është rritur në një vend të shkretë të Australisë. Ai punon në një fermë delesh dhe mundohet të bëjë gjithçka për të kënaqur të atin e tij, por dëshira më e madhe e Tom është të bëhet një muzikant i madh. Gjithçka ndryshon kur Tomi takon shoqen e re të klasës, Kat, një vajzë e bukur bionde. Tomi përpiqet të bëjë gjithçka që të tërheqë vëmendjen e Kat, aq sa futet në telashe me policinë lokale. Fatmirësisht i shpëton burgimit dhe zgjedh të bëjë punë komunitare në një burg të afërt. Fati do t’i buzëqeshë kur mësuesi i tij i muzikës kërkon t’i bëjë një audicion që të marrë pjesë në konservatorin më të mirë të muzikës. Kundër të gjitha shanseve, Tom fiton dashurinë e Kat, gjen mënyrën për t’u pajtuar me të atin dhe drejton koncertin e jetës së tij. Pas projeksionit të “Broken Hill” me të rinjtë që vuajnë dënimin në burgun e Kavajës do të ketë një seancë bashkëbisedimi. Ndërsa të hënën “Giffoni 5” do të mbërrijë në Tiranë ku do të shfaqet për tri ditë me radhë. Mbrëmja e 28 tetorit në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe një ceremoni çmimesh do të shënojë mbylljen e edicionit të pestë të festivalit për të rinj dhe fëmijë, këtë viti i mbështetur nga AMC (sponsor gjeneral) Taçi Oil, United Nations Albania, MTKRS, kinema “Millenium”, Insig, Universiteti Evropian i Tiranës, hotel “Sheraton”, bar-restorant “Piazza”, hotel “Europa”, Bashkia Durrës dhe Bashkia Elbasan.

“Dajti”, arena e pesë artistëve lindorë

Në datën 29 tetor, në sallën e kërcimit dhe katin përdhes të hotelit “Dajti”, pesë artistë nga Evropa Lindore do të prezantojnë punime, të cilat ndeshen me shoqërinë, historinë dhe kujtimet. Peggy Meinfelder nga Gjermania do të paraqesë instalacionin e saj “100 Westmark – 100 marka perëndimore”. Armando Lulaj nga Shqipëria përfaqësohet me videon e tij “Living in Memory”. Artisti serb Uros Djuric shfaq punime nga “Populist Project”, ndërsa Kamen Stojanov nga Bullgaria prezanton një seri fotografike, e cila dokumenton performancën e saj në piedestalin e një ish

monumenti të Leninit. Kurse artisti rumun Istvan Laszlo ka krijuar një film të animuar me një foto të vitit 1989. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 nëntor. Për të njëjtën periudhë kohore tetë artistë nga Berlini dhe katër nga Shqipëria do të “zënë“ një dhomë në katin e dytë të këtij hotelit për të prezantuar veten dhe stilin e punës së tyre. Intervistat do të hedhin dritë mbi kuptimin e rënies së Murit për biografitë personale dhe artistike.

Festivali i Teatrit Bashkëkohor në Elbasan

Nga data 27 tetor deri në 2 nëntor, në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit, mbahet Festivali i 11-të Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor. Në ketë festival marrin pjese teatro dhe trupa teatrale të ndryshëm nga Kosova, Maqedonia, Polonia, Serbia, Italia dhe Shqipëria. Gjatë gjithë ditëve të festivalet jepen nga dy shfaqje. Ato të paradites fillojnë në orën 11:30 dhe ato të mbrëmjes në orën 18:30.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›