E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradimet, risitë e projektligjit të miratuar nga qeveria

Problemet në ekzekutimin e letër-porosive dhe ekstradimeve, shkak për hartimin e projektligjit të ri. Ndryshimet parashikojnë zhdërvjelltësim të procedurave për të pasur ekstradime të shpejta

Zhdërvjelltësim të procedurave të ekstradimeve për të pasur ekstradime sa më të shpejta. Ky ka qenë qëllimi i ndryshimeve të propozuara në projektligjin e ekstradimeve, i cili u miratua në mbledhjen e qeverisë tri ditë më parë dhe kaloi për në Kuvend. Këto ndryshime vijnë në një kohë kur mjaft procese gjyqësore kanë mbetur peng i disa letër-porosive apo dhe ekstradimit të personave të akuzuar. Projektligji “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” përbën një nismë të rëndësishme të Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të përmirësimit të legjislacionit dhe përafrimit të tij me marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. Nevoja e hartimit të këtij projektligji lind nga problemet e hasura në praktikë në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe nga vështirësitë në lidhje me aplikimin e Konventave të ratifikuara nga Shqipëria në fushën penale, veçanërisht për sa u përket raporteve të ligjit të brendshëm me atë ndërkombëtar. Hartimi i këtij ligji i shërben përmirësimit të marrëdhënieve me autoritetet gjyqësore të huaja dhe shmang shumë probleme, si të karakterit procedural, ashtu edhe të mospërputhjes midis ligjit vendas dhe atij të huaj. Nëpërmjet këtij projektligji synohet të rritet efiçenca e zbatimit të ligjit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm në fushën penale.

Iniciativa

Grupi i punës i ngritur nga Ministria e Drejtësisë për hartimin e këtij projektligji, ka filluar nga puna për hartimin e tij, pas evidentimit të problemeve të hasura në praktikë në fushën e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar dhe shqyrtimit të materialeve të ndryshme dhe modeleve ligjore të shteteve të tjera. Paralelisht, në Ministrinë e Drejtësisë është studiuar dhe analizuar shkalla e përputhshmërisë së legjislacionit procedural aktual të brendshëm me parashikimet e Konventës Evropiane për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale dhe Protokollit të Dytë Shtesë. Kjo analizë i ka shërbyer evidentimit të elementëve që nevojitet të trajtohen nga projektligji me qëllim përqasjen e plotë të legjislacionit të brendshëm me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë dhe veçanërisht me Protokollin e Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale. Objekti i ligjit të propozuar është përcaktimi i rregullave për mënyrën dhe procedurat që do të ndiqen në çështje të marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet e huaja, në fushën penale.

Ndryshimet e propozuara

Projektligji parashikon që dispozitat e tij kur të kthehen në ligj do të zbatohen për aq sa ato nuk bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë. Projektligji është konceptuar në gjashtë krerë. Kreu i parë i projektligjit përmban dispozitat e përgjithshme, përcaktohet zbatimi i këtij ligji mbi procedimet në lidhje me veprat penale që në momentin e kërkesës për ndihmë ligjore janë në juridiksionin e autoriteteve gjyqësore të shtetit kërkues, në procedimet administrative nëse vendimi në fund të tyre shërben për fillimin e një procedimi penal si dhe në procedimet që janë në juridiksionin e gjykatave ndërkombëtare, juridiksioni i të cilave është pranuar nga Republika e Shqipërisë. Format e bashkëpunimit në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja ndahen në forma të përgjithshme dhe në forma të veçanta. Format e përgjithshme përfshijnë njoftimet e personave, njoftimet dhe dorëzimet e urdhrave dhe vendimeve të autoriteteve gjyqësore, njoftimin dhe dorëzimin e akteve të tjera dhe provave të procedimit penal. Format e veçanta përfshijnë ekstradimin, njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja, transferimin e procedimeve penale dhe të personave të proceduar. Transferimi i personave të proceduar përfshin transferimin për qëllime të vuajtjes së dënimit dhe transferimin për qëllime të vazhdimit të ndjekjes penale. Ligji parashikon “letër-kërkesën” si formë të paraqitjes së kërkesës për bashkëpunim gjyqësor ndërkombëtar duke parashikuar elementët që duhet të përmbajë ajo dhe rastet kur refuzohet. Autoriteti Qendror nëpërmjet të cilit qarkullojnë dhe i jepet rrugë letër-kërkesave është Ministria e Drejtësisë, por në përputhje me Protokollin e Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale, parashikohet edhe komunikimi i drejtpërdrejtë në raste urgjente. Kreu i dytë trajton format e përgjithshme të bashkëpunimit në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja. Në këto forma përfshihet njoftimi i fletëthirrjeve për personin nën hetim, të pandehurin, të dënuarin, ekspertët apo dëshmitarët, dorëzimi i urdhrave gjyqësorë apo dokumenteve të tjera, sekuestrimet dhe dorëzimet e sendeve të sekuestruara, pyetjen e personave të thirrur, transferimin e përkohshëm të personave të ndaluar dhe veprime të tjera procedurale në përputhje me ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, në kuadër të dhënies së ndihmës së ndërsjellë juridike. Kreu i dytë garanton paprekshmërinë e personave të thirrur, ku përfshihen personat e thirrur në cilësinë e dëshmitarit dhe ekspertit, si dhe specialitetin në lidhje me personin e thirrur për t’iu nënshtruar ndjekjes penale. Në përputhje me Protokollin e Dytë Shtesë, ky kre parashikon rregulla mbi zhvillimin e seancave dëgjimore nëpërmjet lidhjeve audiovizive, marrjen e masave paraprake për ruajtjen e provave, përcjelljen e të dhënave pa kërkesë, si dhe rregulla mbi përballimin e shpenzimeve në kuadër të përmbushjes së kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike dhe ruajtjen e konfidencialitetit.

Format e bashkëpunimit gjyqësor

Nëpërmjet kreut të tretë të projektligjit, kalohet tek format e veçanta të bashkëpunimit gjyqësor me autoritet e huaja dhe konkretisht tek ekstradimi. Kreu trajton në mënyrë të detajuar ekstradimin nga Republika e Shqipërisë dhe ekstradimin nga jashtë shtetit. Në ekstradimin nga Republika e Shqipërisë janë specifikuar rastet e pranimit dhe ato të refuzimit të një kërkese për ekstradim, kushtet që duhet të plotësojë dhe elementët që duhet të përmbajë një kërkesë për ekstradim. Gjithashtu, projektligji detajon procedurat e ekstradimit të një personi në drejtim të një shtetit të tretë, të riekstradimit dhe të ekstradimit të thjeshtësuar. Në parashikimet mbi ekstradimin nga jashtë shtetit, specifikohet dhënia e garancive për personin e kërkuar, si dhe kalimi transit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ky kre, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, detajon procedurat në lidhje me ekstradimin. Ndërsa, në kreun e katërt trajtohen procedurat që ndiqen për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të gjykatave të huaja. Në mënyrë të detajuar, përcaktohen kërkesat që duhet të përmbushen për ekzekutimin e një vendimi penal të huaj, përcaktimin në kompetencës së autoritetit gjyqësor vendas kompetent për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja. Në parashikimet mbi procedurat që duhet të ndiqen në këto raste, ligji përcakton Ministrinë e Drejtësisë si autoritetin qendror në dhënien rrugë të kërkesave për njohje dhe ekzekutim të vendimeve penale të huaja.

Transferimet e personave të proceduar

Kreu i pestë parashikon procedurat që ndiqen për transferimin e personave të proceduar. Në këtë kre përcaktohen rregulla në lidhje me transferimin e personave për qëllime të vuajtjes së dënimit si dhe transferimin për qëllime të ndjekjes penale. Në transferimin për vuajtjen e dënimit normohet transferimi i shtetasve shqiptarë të dënuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për qëllime të vazhdimit të vuajtjes së dënimit në Republikën e Shqipërisë dhe transferimi i shtetasve të huaj të dënuar në Republikën e Shqipërisë për qëllime të vazhdimit të vuajtjes së dënimit në shtetin e shtetësisë. Dispozitat mbi pranimin e ndjekjes penale përcaktojnë procedurat në lidhje me pranimin e ndjekjes penale nga një shtet i huaj si dhe trajtimin e kërkesave të një shteti të huaj për pranimin e ndjekjes penale, çfarë duhet të përmbajnë këto kërkesa, procedurat që ndiqen mbi kërkesën e një shteti të huaj për pranimin e ndjekjes penale dhe rastet e refuzimit të saj. Ndërsa kreu i fundit, ai i gjashtë, përmban dispozitat e fundit, ku përcaktohet hyrja në fuqi e ligjit 45 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare si dhe autorizohet Ministri i Drejtësisë për nxjerrjen e një udhëzimi mbi mënyrat dhe procedurat që do të ndiqen për regjistrimin e dënimeve penale të dhëna ndaj shtetasve shqiptarë nga autoritetet gjyqësore të huaja. Ky ligj, është në përputhje me Konventën Evropiane për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale dhe me Protokollin e Dytë Shtesë të kësaj Konvente, si dhe me Kreun X të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. Nëpërmjet këtij ligji shpresojmë të arrihet lehtësimi i procedurave dhe rezultate pozitive në efektivitetin marrëdhënieve juridiksionale me autoritetet e huaja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›