Genti Rushi me bankën e talenteve
Muzikanti i jazz-it tregon për udhëtimin 4 - mujor në shkollat artistike të rretheve dhe për nivelin të nxënësve. Në emër të "Mesazherit të Jazzit", ai vihet në gjurmë të të rinjve me talent
Më 19 tetor, Genti Rushi ftonte publikun në një koncert me muzikë Jazz, ku interpretonin studentë të Akademisë së Arteve dhe nxënës të shkollave artistike. U deshën pak minuta që të rinjtë të krijonin atmosferë dhe të ftonin publikun t'i shoqëronte. Për të gjithë ata që ishin në skenë atë natë ishte një mbrëmje e veçantë. Po aq e veçantë edhe për ata që ishin në sallë. Kurse për Gentin, fundi i një rruge, (duhet theksuar se është ndër rastet e rralla që një muzikant t'i vihet një rruge nëpër Shqipëri) në kërkim të talenteve, kurse për nxënësit, i pari koncert në skenën e madhe.
Genti, për disa muaj ke shkuar në shkollat e mesme artistike të rretheve për të gjetur muzikantë të rinj. Nisma të tilla pothuajse nuk ekzistojnë, kështu që lind pyetja: Çfarë të shtyu t'i futeshe kësaj pune?
Nuk ia kam bërë ndonjëherë vetes këtë pyetje, por di të them që më pëlqen të punoj. Ndoshta është një lloj egoizmi profesional, sepse këtu ka shumë pak muzikantë që qarkullojnë. Unë dua që ata të jenë më të shumtë dhe të kem mundësi të luaj me sa më shumë muzikantë, të përfitoj më shumë eksperienca. Dy pika uji nuk ngjajnë, tani mendo sesa të ndryshëm mund të jenë dy njerëz, dy muzikantë, qofshin këta të rinj, apo të vjetër. Udhëtimi në rrethe është faza përmbyllëse e të gjithë projektit që kam nisur shumë kohë më parë me profesorin e Jazz-it Thomas Hufschmidt. Shkova në rrethe sepse realiteti duhet prekur nga afër. Talentet nuk janë vetëm në Tiranë.
Ku shkove?
Në shkollat artistike të Fierit, Korçës, Elbasanit, Durrësit. Duhet të shkoj edhe në Shkodër.
Cili ishte niveli i nxënësve?
Ishte tokë e pashkelur. Shkova atje, bëra një prezantim, u dhashë disa njohuri nxënësve. Kishte shumë muzikantë të rinj të talentuar dhe kishin dëshirë për të marrë informacione. Janë shumë të mirë dhe premtojnë shumë, po të punojnë edhe po të shkollohen mirë. Talentet janë gjithandej. Shkolla e Tiranës është më e madhja, më e dukshmja, por edhe në shkolla të tjera ka djem edhe vajza të talentuar. Më 19 tetor në Akademinë e Arteve, në koncertin përmbyllës të projektit "Mesazheri i Jazzit", ftova dy nxënës nga Elbasani dhe një nga Tirana. Mbeta i kënaqur nga performanca e tyre, po kështu edhe publiku.
Çfarë dallon tek ai që do të bëhet muzikant ?
Talenti dhe sensi krijues që ai mund të ketë.
Cila është këshilla më e mirë që mund t'i japësh?
Është pak e vështirë për të dhënë mend (Qesh). E vetmja gjë që mund t'i them është: Nëse vërtet do ta bësh diçka duhet ta duash, t'i kushtohesh.
Tani që projekti përfundoi, a do të ketë mundësi të reja për nxënësit që u zgjodhën?
"Mesazheri i Jazzit" është një investim. Është shumë e thjeshtë të bësh një koncert, të marrësh disa para diku, të kesh sukses, ose të dështosh, të marrësh falënderime, apo të japësh intervista. Pas dy ditësh kjo do të harrohet. Kurse unë pretendova të kisha diçka tjetër. Dua t'i jap disa njohuri muzikantëve të rinj që ata nesër të vazhdojnë të mësojnë të luajnë, të kenë mundësi të bëjnë atë që duan dhe me cilësi. Këta mund të jenë muzikantët që janë më të përgatitur për të përballuar konkurrencën, jetën e vështirë në treg si artist. Me mundësitë që kam, do t'i marr nëpër klubet ku unë këndoj. Do t'i aktivizoj sepse në fund të fundit, definicioni i artistit është skena. Meqë u përmend fundi i projektit, dua të them që puna me nxënësit është një fazë e projektit, përkatësisht faza e tretë. Ky projekt ka disa vite që ka filluar dhe qëllimi final i tij ishte hapja e një seksioni të mirëfilltë të muzikës jazz në Akademinë e Arteve, ku studentët të studiojnë vetëm jazz. Një vit më parë, në Akademinë e Arteve u hap një klasë eksperimentale Jazzi, ku studentët marrin njohuri me kohë të pjesshme për këtë lloj muzike. Po punohet që studentët të marrin njohuri me kohë të plotë.
Kur mendohet të realizohet kjo?
Është një punë që do të marrë kohën e vet, por do të bëhet. Nëse ekziston dëshira e mirë do të dojë dy vjet. Projekti nuk është vetëm një iniciativë e imja, por edhe e një stafi me të cilin unë punoj. Deri tani kam pasur mirëkuptimin e Akademisë së Arteve, nga z. Ardian Klosi, mbështetësi dhe iniciatori kryesor i kësaj nisme, Shoqata gjermano-shqiptare "Robert Schwartz" dhe Instituti "Goethe" dhe Ambasada e Gjermanisë. Për këtë projekt pata dashamirësinë për të pasur një financim edhe nga Ministria e Kulturës, që u bë i mundur edhe realizimi i work-shopeve dhe i koncertit të 19 tetorit. Unë pretendoja të kisha një koncert me nivel shumë të mirë profesional dhe për këtë duheshin pajisje të mira, të kisha kushte të mira punë që kërkojnë para, nuk është e thjeshtë. Në gjithë atë bum projektesh që shkojnë në Ministri, ishte projekti i parë që mbërrinte në këtë fazë dhe ata patën dashamirësinë për të më mbështetur.
Përmbledhje
Është shumë e thjeshtë të bësh një koncert, të marrësh disa para diku, të kesh sukses, ose të dështosh, të marrësh falënderime, apo të japësh intervista. Pas dy ditësh kjo do të harrohet.
Këta mund të jenë muzikantët që janë më të përgatitur për të përballuar konkurrencën, jetën e vështirë në treg si artistë.
Muzika dhe artet figurative
Festivali "Ditët e Muzikës së Re Shqiptare" vazhdon me koncertin me temë: "Muzika dhe artet figurative". Pjesë e programit janë vepra të kompozitorëve shqiptarë: Fatos Qerimi, Shpëtim Kushta, Kozma Lara, Aleksandër Peçi dhe Ajet Çekiçi. Koncerti vjen për publikun nesër në mbrëmje, ora 19.00.