E Hënë, 2 Nëntor 2026

Informacion pa dezinformim, trajnimi i 60 gazetarëve zbulon mungesën e verifikimit të lajmeve

60 gazetarë të tri qarqeve në vend – Tiranë, Durrës dhe Elbasan – që punojnë në mediet online pranojnë se publikojnë informacione dhe deklaratat politike pa verifikim dhe se presioni i kohës shihet si një nga shkaqet kryesore.

Pas një trajnimi disamujor, të dhënat tregojnë se 60 për qind prej tyre nuk e dinë përkufizimin e saktë të dezinformimit. Ky fenomen, si temë e tryezës së organizuar nga Autoriteteti i Medieve Audiovizive dhe Qendrës Faktoje, shtron çështje të rëndësishme të medies në Shqipëri.

“Kompleksiteti i rrugëve të komunikimit dhe teknologjia ka shtuar sot llojet dhe mënyrat e ndryshme të ndërveprimit publik-media, dhe të bën të mendosh se e ka bërë më të lehtë këtë ndërveprim, por si çdo gjë e re kjo ka shtuar edhe risqet ose fenomene të cilat janë të padëshiruara, që ndeshen rëndom dhe shtojnë detyrën e medies për tëkëmbëngulur në profesionalizëm. Teknikat e manipulimit, përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe tërësia e ofertës virtuale e bën edhe më sfidues rolin e medies.

Si institucion jemi duke punuar për transpozimin e Aktit Europian për Lirinë e Medies, dhe po ashtu të gjitha neneve apo grupneneve të Aktitit të Shërbimeve Digjitale… Nisur edhe nga fusha ku Autoriteti vepron, ndër shtyllat kryesore të punës tonë mund të përmend të drejtën e publikut për informim dhe lirinë e shprehjes, që përbëjnë dy të drejta thellësisht orientuese. Këto janë të rëndësishme jo vetëm për punën tonë, por edhe për detyrimet që media duhet të përmbushë. Jo më kot sot janë kryefjalë, kudo në botën e qytetëruar, proceset e Vetërregullimit, Bashkërregullimit, Akteve Europiane dhe jo vetëm, që synojnë të gjejnë një ekuilibër apo një balancë që duhet t’i shërbejë, qoftë medies, qoftë audiencës, në mënyrë që opinioni publik të mos deformohet, të mos orientohet gabim e, në raste të caktuara, siç tregojnë ngjarje në vende të ndryshme, të mos bëjë dëm. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme, jo vetëm përgjegjësia me të cilën media duhet të përballet me publikun e vet, por edhe ky lloj bashkëpunimi i shtruar në këtë tryezë sot, ku të gjithë aktorët bëhen bashkë, për të shkëmbyer, ide dhe eksperienca, dhe për të përkrahur njëri-tjetrin,” u shpreh kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.

Mungesa e një ligji, që do të shërbente si rregullator për problematikat që lidhen me afro 800 media online, ishte pjesë e diskutimeve mes një paneli gazetarësh të njohur dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe Parlamentit.

Nga ky realitet i reflektuar nga vetë gazetarët, dokumenti është shoqëruar edhe me rekomandime, ndër të cilat është edhe futja e kurrikulave për dezinformimin në shkolla.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›