E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Treni bullgar”, Berisha: Material zgjedhor dhe para në lokalin e një vëzhguesi të PS në Elbasan

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar sot atë të cilën e konsideron si skandal elektoral, që sipas tij tregon manipulimin e zgjedhjeve nëpërmjet metodës së njohur si “treni bullgar”.

Berisha pretendon se në fshatin Pekisht të njësisë administrative Pajovë, në Elbasan, janë zbuluar materiale zgjedhore dhe “narko-euro” në ambientet e një lokali në pronësi të kryeplakut të fshatit, i cili sipas kryedemokratit njihet si vëzhgues i Partisë Socialiste.

Në një deklaratë për medie, Berisha bëri të ditur se pas një sinjalizimi të marrë nga deputeti i zgjedhur i zonës, Blendi Himçi, ky i fundit ka verifikuar fizikisht informacionin. Sipas Berishës, në bar-kafene u gjetën fletë votimi dhe lista votuesish me vulë; karta identiteti; si dhe shuma të konsiderueshme parash në euro.

“Kjo është tavolina e krimit elektoral. 117 fletë listash votimi me vula dhe euro të shpërndara mbi tavolinë. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe e këtyre zgjedhjeve të manipuluara,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se pronari i bar-kafesë është i lidhur me strukturat zgjedhore të PS-së në Bashkinë Peqin, konkretisht në KZAZ-në nr. 45, në qendrat e votimit 2292 dhe 2293.

Berisha theksoi se kjo ngjarje është pjesë e një skeme më të gjerë të manipulimit të votës, që, sipas tij, është zbatuar edhe në zona të tjera si Kashar dhe Astir, përmes strukturave të patronazhistëve të PS-së.

“Këto janë zgjedhje që nuk do të njihen kurrë. Ka vetëm një zgjidhje: krijimi i një qeverie teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, ku shqiptarët të votojnë të lirë,” deklaroi ai.

Duke e cilësuar procesin si “farsë elektorale”, Berisha paralajmëroi se posedon me qindra dokumente që vërtetojnë shkelje dhe manipulime sistematike gjatë zgjedhjeve të fundit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›