E Diel, 1 Nëntor 2026

Informatika, tani me diplomë të nivelit të dytë

Fakulteti i Shkencave të Natyrës do të hapë për herë të parë në vitin e ri akademik 2008-2009, programin e nivelit të dytë të studimeve në degën Informatikë. Në përfundim të studimeve në programin e mësipërm, i cili zgjat dy vite akademike, studentët që do të ndjekin këtë profil, do të marrin diplomë të nivelit të dytë në profilin me të njëjtin titull. Ky nuk ka qenë vendimi i vetëm që ka miratuar Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të fundit. Qeveria ka vendosur gjithashtu, çeljen e 14 profileve të reja të studimit në nivelit e dytë, të gjitha në universitetet publike të Tiranës. Të marra të gjitha së bashku, numri i programeve të studimit të nivelit të dytë të miratuara nga qeveria në mbledhjet e fundit shkon në 60, ndërkohë që pritet që në muajin në vazhdim të kalohet me miratimin e profileve të reja, që janë ende në fazën e shqyrtimit. Ajo që mësohet nga drejtues të arsimit është fakti se shumë nga programet e miratuara janë kaluar jo me pak vërejtje, për shkak të mangësive që ato paraqesin në kurrikula. Për të përmirësuar programet, MASH, u ka caktuar departamenteve me problematikë të evidentuar, një afat kohor i cili nuk bëhet i ditur si edhe një periudhë të dytë kontrolli, për të parë plotësimin e detyrave të lëna.***  Krahas profilit të Informatikës, këtë vit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të hapen edhe 3 programe të tjera të reja studimi në nivelin e dytë, të cilat plotësojnë gamën e interesit të studentëve që kanë përfunduar ciklin e parë 3-vjeçar të studimeve. Me programet e fundit të miratuara nga Këshilli i Ministrave, këtë vit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, sikurse është pasqyruar në shkrimet e mëparshme në gazetën “Shekulli”, numri i programeve të hapura do të shkojë në 10 të tilla. Në programin e studimit Kimi do të hapet profili Analiza Kimike dhe Vetitë e Lëndës, ku në përfundim të studimeve do të lëshohet diplomë e nivelit të dytë (DND) në Kimi, profili Analiza Kimike dhe Vetitë e Lëndës. Program studimi në nivelin e dytë do të ketë edhe në degën Matematikë, Inxhinieri Matematike dhe Informatikë dhe sikurse theksuam në hyrje të shkrimit, Informatikë. Kohëzgjatja e studimeve në nivelin e dytë do të jetë dy vite akademike, ndërsa për të merituar Diplomë të Nivelit të Dytë në përfundim të studimeve një student duhet të ketë plotësuar medoemos 120 kredite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›