E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, pranga pedofilit, përdhunoi 2 fëmijë shqiptarë

PATRA-Përfundon në pranga pedofili grek që përdhunoi dy fëmijë shqiptarë. I gjithë opinioni publik në qytetin e Patrës në Greqi është tronditur pas arrestimit të një 60-vjeçari në lagjen Zavlaniu të qytetit. Sipas policisë greke, i arrestuari akuzohet për përdhunim të një djali 6-vjeçar nga Shqipëria si dhe për abuzim seksual ndaj motrës së tij 11 vjeçe. I akuzuari, me profesion peshkatar, përdhunonte prej dy vitesh vogëlushin shqiptar, duke abuzuar në miqësinë që kishte me familjen e tij. Policia ka bërë të ditur gjithashtu se 60-vjeçari shpesh shihte së bashku me prindërit e dy fëmijëve në shtëpinë e tyre filma me përmbajtje pornografike. Skandalin seksual e ka denoncuar në policinë e Patrës një banor i zonës dhe pas kësaj menjëherë është kryer arrestimi. Pas vizitës që mjeku ligjor i ka bërë 6-vjeçarit shqiptar, ai ka konstatuar në trupin e tij dëmtime në organet e tij gjenitale, shenja në gjithë trupin e tij si dhe dëmtime të pjesës së pasme të trupit. Sipas shtypit vendas, kohët e fundit shumë prej banorëve e dinin se çfarë ndodhte në shtëpinë e emigrantëve shqiptarë me dy fëmijët që kishin rënë pre e orekseve të sëmura të pedofilit grek, por askush nuk kishte marrë guximin të denonconte. Madje informacione të shtypit grek bënin të ditur se vetë nëna e dy fëmijëve ishte bashkëpunëtore në këto veprime të sëmura të 60-vjeçarit, por deklaratat e avokatit të familjes shqiptare e hedhin poshtë këtë version. Sipas avokatit të emigrantëve shqiptarë, Janis Apostolopulos, nëna e fëmijëve nuk ka asnjë dijeni dhe e konsideron të pamundur faktin që një nënë, sado nivel të ulët ekonomik dhe social të ketë, të pranojë të tilla veprime në dëm të fëmijëve të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›