E Shtunë, 31 Tetor 2026

Insektet, shqetësim serioz për shëndetin

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik pas monitorimit në të gjithë vendin shprehen të shqetësuar për përhapjen e mushkonjës tigër, mizave dhe minjve.

"Zona problematike është në të gjithë vendin, duke nisur nga Tirana, Durrësi, Shkodra, madje edhe bregdeti i Himarës është i mbushur me vektorë, që lejon transmetimin e disa sëmundjeve të rrezikshme që nuk kanë qarkulluar në Evropë", thekson specialistja e ISHP-së, Silva Bino.

Sipas saj, më parë bëhej zhdukja e insekteve me helme të ndryshme dhe më pas dezinfektimi i zonës, por kjo kompetencë prej vitesh i ka kaluar pushtetit vendor, ku një pjese e mirë e tyre nuk kanë ngritur sektorët që duhet të kryenin këtë shërbim ose nuk bashkëpunojnë me Institutin e Shëndetit Publik.

Bino shton se përgjegjës për higjienën duhet të jenë edhe vetë qytetarët, ndërkohë që pushteti lokal duhet të paktën të ushtrojë kontrolle periodike të higjienës.

"As ndërmarrjet private nuk shpenzojnë në lidhje me kontrollin e higjienës. Nëpër restorante të Tiranës shohim fluturime të mizave. Kujdes duhet të tregohet me hedhjen e plehrave, moslënien e ujit të ndenjur, moslënien e objekteve të prishura, sepse janë strehë për insektet e rrezikshme dhe minjve", thotë Silva Bino. /Start/

                                                                                             2011-07-11 16:21
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›