E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, dështon shpërndarja e mandateve për Këshillin Bashkiak

Në votimin e zhvilluar të hënën pasdite nuk u arrit shumica e cilësuar prej pesë votash, e nevojshme për miratimin e aktit. Rezultati i përgjithshëm ishte 4-2, me të dy komisionerët e Partisë Socialiste që votuan kundër.

Seanca e sotme u karakterizua nga debate të ashpra mes kryetarit Arben Ristani dhe komisionerëve socialistë Eridian Saliani dhe Dëshira Subashi.

Këta të fundit kanë pretenduar për parregullsi dhe abuzime me shifrat e paraqitura në tabelë, ndërsa sipas komisionerit demokrat Njazi Kosovrasti, “tabelën nuk mund ta hedhë poshtë askush pasi gjatë diskutimit të saj komisionerët socialistë nuk kanë paraqitur asnjë ankesë në instancat gjyqësore”.

Sipas tabelës përmbledhëse të KQZ-së, në bazë të votave të marra në zgjedhjet vendore të 8 majit, koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 vende në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ndërsa koalicioni i majtë “Aleanca për të Ardhmen”, 27 vende.

Pas këtij vendimi, sipas Kodit Zgjedhor çështja mund të përfundojë në Kolegjin Zgjedhor. Në fund të mbledhjes së sotme u vendos që takimi i ardhshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të jetë të martën në orën 11:00.
/Start/

                                                                                             2011-07-11 19:27
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›