Sulmi ndaj Blater, tani hyn në valle dhe kryeministri Kamerun
Anglia nuk ndalet në sulmet e saj kundër FIFA-s, ndërsa në fushë ka zbritur edhe kryeministri britanik David Kamerun, i cili i ka cilësuar si farsë zgjedhjet për President dhe, se sipas tij, qeveria botërore e futbollit ka rënë shumë poshtë. Sep Blater u rizgjodh si president për të katërtën herë radhazi, por ishte kandidat i vetëm pas dorëheqjes së rivalit të tij të vetëm Mohamed Bin Hamam, pas akuzave për korrupsion. Federata Angleze e Futbollit abstenoi gjatë votimit për President, ndërsa më parë kërkoi shtyrjen e këtij procesi. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga shumica e anëtarëve të FIFA-s. "Personalisht e kam parë qeverisjen e futbollit në nivel ndërkombëtar dhe nuk jam impresionuar aspak nga ajo. Tani reputacioni I FIFA-s ka rënë shumë poshtë. Zgjedhjet me një kandidat të vetëm ishin një farsë”, ka bërë të ditur David Kamerun. Lufta e hapur mes federatës angleze të futbollit dhe FIFA-s nisi menjëherë pas dështimit të kandidaturës angleze për të marrë organizimin e Botërorit 2018. Menjëherë pas kësaj, mediat britanike publikuan një skandal, ku anëtarë të lartë të Komitetit Ekzekutiv të qeverisë botërore të futbollit shfaqeshin të gatshëm për të shitur votën e tyre në këmbim të beneficave personale apo të federative që drejtonin.