Institucionet bankare mbyllin përkohësisht disa degë pas dhunës në protestë

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Përshkallëzimi i protestave në qendër të kryeqytetit ka sjellë masa të jashtëzakonshme në sektorin bankar. Gjashtë banka kanë njoftuar mbylljen e përkohshme të disa degëve pas dëmtimit të institucioneve financiare gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke orientuar klientët drejt përdorimit të kanaleve digjitale.
Raiffeisen, OTP, Tirana Bank, Union Bank, Intesa Sanpaolo dhe ProCredit Bank janë shprehur se po ndjekin zhvillimet e fundit, ndërsa po punohet për të garantuar vijimësinë e shërbimeve bankare pa ndërprerje dhe në kushte të plota sigurie.
Po ashtu, bankat kanë bërë të ditur se siguria e punonjësve dhe klientëve mbetet prioritet, ndërsa pezullimi i aktivitetit në disa degë synon të garantojë ofrimin e shërbimeve në kushte të sigurta.
Ndërprerja e përkohshme e shërbimit në sportele mund të krijojë vështirësi për qytetarët që kanë nevojë për veprime bankare fizike, si dhe për bizneset që mbështeten te pagesat dhe operacionet e përditshme financiare.
Po ashtu, edhe biznese të ndryshme në rrugët e përfshira nga protestat tre ditë e fundit kanë mbyllur qepenat në pritje të qetësimit të situatës, pasi shumë prej tyre kanë pësuar dëmtime të rënda.
/e.xh/j.p/