Institucionet e artit dhe profesionalizmi
Kritikë
A ka drejtues të mirëfilltë e të ndërgjegjshëm në institucionet tona të artit? Përgjigjen, kaq të lehtë e jep dhe një fëmijë 10-vjeçar. Jo. Të gjithë janë të lidhur me fije si merimanga. Art bëhet, madje pretendohet se bëhet art i madh. Drejtuesit finokë të artit, për t'u dhënë një rëndësi që nuk e kanë aktiviteteve, vënë shpesh siglën: "Nën kujdesin e drejtpërdrejtë të…". Ndriçohen kështu emrat e lartë të politikës dhe askujt këshilltari kulture pranë qeveritarëve nuk ndriçon problemet në brendësi, a ia vlente ajo shfaqje, ajo vepër. Në këtë aspekt jo rrallë drejtuesit e artit janë dukur vulgarë dhe qesharakë, madje sigla e mësipërme ka pasur efekt të kundërt. Po kush mban përgjegjësi? Askush. Kush e kupton? Kush e evidenton këtë pakorrektësi? Askush. A ndiqet kjo praktikë gjetiu, për shembull "nën kujdesin e Presidentit Bush",apo "nën kujdesin e Kondolejsa Rajs", apo "nën kujdesin e Berluskonit"?
Po në Shqipërinë e brishtë kjo është bërë modë. Në bazë të emrave në ballë të posterave e ftesave, bëhet propaganda për shfaqjen, sepse ajo është e lidhur me fondet, me marrjen e parave.
Kjo është pseudo-propagandë dhe jo marketing. Kur niveli profesional në art është i lartë, s'ka nevojë për asnjë emër politikani.
Le të marrim për shembull muzikën. Në këtë periudhë në Shqiperi, artin muzikor e dominojnë spektaklet. Ndërsa muzika e dhomës dhe ajo instrumentale ku amatorizmi del lehtë në shesh, krijohet dhe shfaqet me shumë mundim për arsye parash dhe investimesh të pakta. Në radhë të parë kjo pengesë bëhet në institucionet ku merren fondet. Sepse në këto raste, fondet duhet të shkojnë direkt në honorare për artistët interpretues. Nëpunesit e pandërgjegjshëm, shpesh u venë vize projekteve të tilla fine dhe u thonëPo, projekteve të zhurshme me skenografi të mëdha e spektakleve që janë në kohën e tyre të artë edhe për të thithur fonde.
Në këtë prizëm spekulohet fjala vjen me "urdhrat nga lart" sipas të cilëve qenka mëse e mundshme që fjala vjen Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit të jetë shesh spektakli për një konkurs për të rinj që quhet "Ethet". Shfaqjet e fundit me nxënësit e shkollave të mesme të vendit, mendoj se duheshin bërë tek Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, apo tek Teatri i Estradës, apo për karakterin masiv që ka kjo sipërmarrje private, në Pallatin e Kongreseve, por kurrsesi jo në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kjo s'ngjet askund. Mendoni një spektakël me nxënës të shkollave të qyteteve dhe fshatrave të Italisë në "Skala" të Milanos. A është profesionalizëm ky që po tregon drejtori i TKOB, njëherësh anëtar i jurisë së konkursit, duke i lënë hapësirë një aktiviteti privat?
As është profesionalizëm që "Ethet" vazhdojnë në TKOB ndërsa vetë Teatri ynë kombëtar nuk ka akoma një kalendar për vitin 2008? Dhe askush s'pyet më. Të gjithë punojnë për rutinë. Kjo, sepse rutinë janë edhe shpërblimet që marrin nga institucioni.
Profesionalizmin artistët shqiptarë e tregojnë jashtë vendit. Kur u jepet mundësia e kontratave afatgjata i thonë TKOB-it, lamtumirë. "Unë ndjehem artist profesionist, do vij kur të më thërrisni si të ftuar". Dhe shembujt i kemi të shumtë: E. Koço, E. Krantja, B. Llapi, A. Xhema, J. Gjipali, Sh. Spaho, I. Kerni etj., etj.. Me këtë politikë kulturore shterpe të gjithë kanë mendje të largohen.
A ka vend truri i lodhur i drejtuesve të sotëm të thithin metodat bashkëkohore të administrimit të shkruara në dhjetëra libra didaktikë për drejtues të institucioneve të artit me buxhet shtetëror? Rasti i lartpërmendur është një ato që tregojnë se këto institucione drejtohen nga gjysmë artistët dhe gjysmë drejtuesit, por të aftë për të mbajtur postin.
A ka kohë ta analizojë kush këtë?
Po kujt duhet t'ia referojë?
Po pse duhet ta referojë?
Kush do t'ia kërkojë?
Tiranë 2008, është kohë e artë, për të bërë pará.
Kritike Muzike
"Arts Administration" NYU USA.