E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionet e shtetit e të pushtetit

Një debat në dukje margjinal u zhvillua dje mes Kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Debati, si zakonisht virtual, kryeministri nga foltorja e Kuvendit, e kryesocialisti nga rrjeti social Twitter, risolli për herë të parë, në mënyrë direkte nga personat e interesuar, një pjesë jo aq të evidentuar të marrëdhënies institucionale që ekziston mes tyre, e që rëndom përcillet nga mediat si bojkot politik, por që në fakt është larg së qënit një betejë legjitime politike.

Ishte Kryeministri i vendit ai që evidentoi ngjarjen e fundit, ku pushtetarë vendorë të Partisë Socialiste ishin ndaluar të merrnin pjesë në një ceremoni inaugurimi që zhvillohej në zonën e tyre, e në të cilën merrte pjesë kreu i qeverisë. Edhe pse nuk është diçka që ndodh për herë të parë, befasi ishte evidentimi e kritikimi i kësaj sjelljeje, si jo institucionale nga Kryeministri, ndërsa nga ana tjetër, po aq befasues ishte edhe pohimi dhe legjitimimi që i bëri këtij gjesti, kryetari i opozitës. Së pari, pasi respektimi i institucioneve është një detyrim ligjor, që parashikohet në legjislacionin shqiptar, si pjesë e funksioneve të përbashkëta që ka qeverisja qendrore me atë vendore, të cilën natyrisht e njohin mjaft mirë të dy udhëheqësit politikë.
Së dyti, respektimi i institucioneve është pika kryesore e kriterit politik të integrimit në BE, që përveçse e shkruar e zezë mbi të bardhë, përsëritet në mënyrë të palodhur në çdo takim nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Dhe së treti, se vetëm pak ditë më parë, gjatë vizitës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan Riker, si kryeministri ashtu edhe kreu i opozitës, u “zotuan”, duke shprehur vullnetin për të bërë gjithçka, për të justifikuar marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Që fjalët të ndahen nga veprat për shkak të bindjeve të ngulitura, kjo është një normë e rrezikshme, që vazhdon të çimentohet, duke vijuar kultivimin praktikës së gabuar të ndasive mes institucioneve, e që shkon edhe më tej, mes qytetarëve, në “të pozitës” a “të opozitës”, por që në vitin 2012, duhet të futet në arkivat e të kaluarës.

Mediat kanë evidentuar në të kaluarën e afërt e të largët, raste jo të pakta të bojkotimit të aktiviteteve, brenda e jashtë vendit të ish-Presidentëve Topi e Moisiu, nga përfaqësues institucionalë të Partisë Demokratike në nivel lokal e qendror, apo edhe mungesën e përfaqësuesve të opozitës në delegacionet aktuale presidenciale, por ato janë përcjellë pa qëndrime nga të interesuarit.

Për pasojë, deklarimet e një dite më parë të kryeministrit Berisha e kryesocialistit Rama, natyrisht kontrastojnë fort me veprimet e tyre në të shkuarën e afërt e të largët, e sidomos me deklarimet e zellshme të ditëve të fundit, në përpjekjen shumë normale për t’i dhënë opinionit ndërkombëtar, panoramën e një klase politike që bashkëpunon, e që i ka shumë për zemër standardet europiane të integrimit.

Por duket se “nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë”, dhe një nga standardet bazike të demokracisë do vazhdojë të respektohet me standard të dyfishtë, si dëshmi se qasja individuale e politike, do mbizotërojë mbi institucionet, e se pushteti (i një force politike), do vazhdojë të dominojë ndaj shtetit (të të gjithëve). Edhe për disa kohë, institucionet do konsiderohen si “pronë” e një force të caktuar politike, e do i binden jo normave e ligjeve, por humorit politik të kryetarëve, duke iu bashkangjitur betejës së radhës politike, në dëm të interesave të qytetarit.

Të ndjekësh një praktikë të tillë, e madje edhe ta pranosh si të justifikueshme, ky është anormaliteti i radhës që përpiqet të shitet si “një normë e detyruar nga rrethanat”, nga klasa jonë politike. Kjo praktikë reflekton papjekuri politike, në radhë të parë, nga politikanë me eksperiencë të gjatë politike e institucionale, por edhe nga politikanë më të rinj, që pretendojnë të qeverisin ndryshe e të sjellin një model të ri, kur të vijnë në pushtet. Krijimi, kultivimi, justifikimi dhe legjitimimi i precedenteve të tilla, ku mandati i dhënë për të përfaqësuar qytetarët, përdoret për karshillëqe politike, nuk është një betejë politike për t’u fituar, por një mendësi primitive që nuk njeh moshë.

Në asnjë rast, bojkoti nuk siguron atë stabilitet të nevojshëm për mbarëvajtjen e koordinimin e punëve, në respekt të funksioneve e kompetencave, që u njeh e jep ligj institucioneve, por veçse krijon një precedent të gabuar që do vazhdojë të frenojë edhe në të ardhmen aktivitetin normal të tyre.
Si jashtë vendit, në delegacionet Presidenciale e Parlamentare, apo edhe përpara qytetarëve, pozita dhe opozita shqiptare duhet të paraqiten të bashkuara, si shenjë se respekti për institucionet nuk do të thotë aspak dakordësi idesh apo qëndrimesh, por pjekuri e kulturë demokratike e institucionale.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›