Çfarë na mësoi Kris Stevens?
Kris Stevens dhe tre kolegë amerikanë të misionit të Shteteve të Bashkuara në Libi u vranë dje nga një turmë. Këto përbëjnë vdekjet e para të zyrtarëve amerikanë në botën Arabe që prej fillimit të Pranverës Arabe më pak se dy vite më parë. Vdekjet e tyre duhet të jenë një kushtrim për vendin tonë lidhur me rreziqet me të cilat përballen ata që shërbejnë jashtë vendit, ndërsa shembulli i Krisit për sa i përket tolerancës fetare, mbështetjes ndaj lirisë dhe besimit në demokraci, duhet të jetë udhërrëfyesi ynë për ditët në vazhdim, tek reagojmë ndaj kësaj tragjedie. Krisin e takova rishtazi kur shërbente si staf i një kongresmeni në Senatin Amerikan, ndërkohë punonte edhe për Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë. Ai ishte një zyrtar karriere në shërbimin e jashtëm dhe ish-vullnetar i Korpusit të Paqes, çka do të thotë se e ka kaluar jetën duke promovuar vlerat dhe idetë amerikane anekënd botës. Teksa unë isha anëtar i stafit demokrat të Senatit dhe Krisi punonte për një anëtar republikan, mu e bë qartë se ato vlera ishin injektuar në çdo lëvizje të tijën. Ai nuk ishte partiak; punonte tej rreshtave; ishte profesionist dhe i sjellshëm. Dhe mbi të gjitha ishte miqësor. Miqësor me mua dhe miqësor me bashkëshorten time, me të gjithë ata që ka punuar. Krisin e pëlqenin të gjithë. Më kujtohet që kur Kris u emërua si i dërguari ynë tek kryengritësit libianë, i dërgova një mesazh urimi dhe ai mu përgjigj aty për aty. Ai ishte njëri pozitiv dhe realist - një idealist që kuptonte korridoret e pushtetit në Uahington dhe rrugët e Bengazit. Tashmë ka nga ata që po rreken ta përdorin vdekjen e Krisit për të promovuar axhendat e tyre politike. Kris nuk do ta kishte mbështetur këtë. Ai e kishte kuptuar se po jetonte në një vend të paqëndrueshëm dhe i njihte mirë rreziqet. Ai kurrë nuk do të ishte angazhuar në fajësimin e dikujt për një ngjarje tragjike të tillë si kjo që solli largimin e tij nga kjo botë. Kështu që në ditët në vijim, tek ngrihen zëra në përpjekje për të shpjeguar motivet e vrasjes së tij, aftësitë e udhëheqësve tanë, apo arsyen se pse patriotët amerikanë si Krisi po japin jetët e tyre për t’i dhënë shtysë një bote më të mirë, le të kujtojmë shembullin e Krisit dhe ta ndjekim atë. Pak më shumë Kris në secilin prej nesh do të na ndihmonte që ta bënim këtë botë një vend në të cilin Krisi do të dëshironte të ishte.
...