E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti i Medias, trajnim me komunitetin e gazetarëve

Takimi Elbasan, “Integrimi europian”

Instituti i Mediave ka organizuar ditën e djeshme një seminar me temë “Integrimi europian”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të mediave vizive dhe të shkruara të Qarkut të Elbasanit. Ky seminar është organizuar nga Instituti i Mediave, si edhe në bashkëpunim me fondacionin gjerman, “Friedrich Ebert”. Lektori i këtij seminari, Geron Kamberi, pasi ka referuar në lidhje me marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, nga viti 1992 deri më tani, si dhe për sfidat e përhershme të europianizimit, ka deklaruar se “procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces i cili ka hyrë në një fazë mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, në një mënyrë të veçantë të lidhur me qëllimin e këtij procesi në raport me BE-në. Që prej gati 20 vjetësh Shqipëria ka marrëdhënie me BE-në dhe tashmë ka hyrë në një fazë të re, që lidhet jo vetëm me fazën e zhvillimit të Shqipërisë, por edhe me politikën e BE-së të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”. Sipas Kamberit, ajo që është më me rëndësi për Shqipërinë dhe veçanërisht për opinionin publik është që ky proces të njihet sa më mirë dhe në mënyrë të veçantë qytetarët të arrijnë të kuptojnë që integrimi në BE ka një sërë detyrimesh, të cilat duhet të përmbushen prej tyre. Këto detyrime i përkasin klasës politike për ta realizuar procesin e dialogut politik, por njëkohësisht u përkasin edhe qytetarëve që të arrijnë të plotësojnë sa më shumë ato standarde për të qenë pjesë e BE-së”. Në seminarin në fjalë kanë marrë pjesë mbi 17 gazetarë të këtij qarku që punojnë në mediat lokale dhe qendrore, nga 30 që përbëhet komuniteti i gazetarëve, të cilët aderojnë në Unionin e Gazetarëve shqiptarë e që mbulojnë një popullsi prej mbi 450 mijë banorësh që përfshin ky qark.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›