E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrim me kusht, për Beogradin

Bashkimi Europian ka dërguar sinjalet e para të qarta për kushtëzimin e proceseve integruese të Serbisë nëse politika e saj karshi Kosovës nuk ndryshon. Kjo tashmë duket një fakt i pamohueshëm përderisa shtetet anëtare mbeten të luhatura se në cilën fazë duhet t’i shfaqet ky kushtëzim Beogradit.

Zyrtarët e Bashkimit Europian deri më tani publikisht e kanë kushtëzuar Serbinë vetëm në raport me bashkëpunimin e saj për kriminelët e luftës me Tribunalin e Hagës. Ndërsa, kushtëzimet për Kosovën janë përmendur kryesisht nga analistët. Qeveritarët serbë vazhdimisht kanë theksuar se rruga e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian dhe çështja e Kosovës janë dy tema të ndryshme.

Por, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Steven Wordsworth në një intervistë për mediat serbe e ka bërë të qartë se kjo politikë nuk mund të vazhdojë pasi Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian duke e prezantuar Kosovën si pjesë të territorit të saj. Në bazë të deklarimeve të ambasadorit Wordsworth, BE’ja do ta ballafaqojë Serbinë me këtë fakt në momentin kur do t’i dorëzojë pyetësorin në të cilin ajo duhet të përgjigjet në mënyrë specifike për territorin, numrin e banorëve, etj.

Sido që të jetë, askush nuk pret që Serbia ta njohë formalisht Kosovën, por së paku të përmirësojë raportet dhe të mos punojë kundër pavarësisë së saj.
Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë (ICG), Naim Rashiti thotë se qasja kushtëzuse e BE’së për Serbinë në raport me Kosovën nuk është e re. Rashiti thotë se këto mesazhe në Serbi privatisht kanë shkuar në Beograd tash e sa muaj.

“Mesazhe të tilla të qarta në Beograd tashmë kanë çuar diplomatët më të mëdhenj të Perëndimit. Ka muaj që këto i thuhen Beogradit po ashtu edhe të gjitha delegacioneve të Serbisë në BE“, ka vlerësuar Rashiti.

„Në BE nuk ka dallime kur është fjala për kushtëzimin e Serbisë. Disa shtete mendojnë se Serbia duhet të kushtëzohet edhe me pranimin e kandidaturës, pra të kushtëzohet që të ketë raporte së paku të relaksuara me Kosovën. Disa insistojnë që Serbia të kushtëzohet me Kosovën në momentin e anëtarësimit të Serbisë në BE“.

Rashiti thotë se koha e anëtarësimit të Serbisë në BE është shumë larg dhe zyrtarët e atjeshëm e shfrytëzojnë këtë fakt në raport me Kosovën.

„Gjithsesi BE’ja nuk do ta pranojë një anëtar të ri siç ka ndodhur me Qipron. Por, esenca është kur do të ndodhë ky kushtëzim. Nëse flitet për anëtarësimin e Serbisë në BE, mund të flasim diku për 5 , 7 ose 10 vjet. Kjo periudhë merret si formë relaksuese ende për Beogradin. Atje mendojnë se koha e kushtëzimit është 10 vjet e më vonë. Kështu që kanë kohë ende për të manovruar“, vlerëson ai.

Kjo llogaritje që bëjnë zyrtarët në Beograd, sipas Rashitit, është edhe pengesa kryesore për relaksimin e raporteve Kosovë –Serbi. Shtetet anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë një politikë të përbashkët për Kosovën, pasi 5 shtete nuk e kanë njohur pavarësinë.

Sipas analistit të ICG’së, mungesa e unitetit do të bëhet problem edhe për Serbinë.

“Ndarjet e BE’së për Kosovën, Serbia i ka trajtuar si avantazh deri tash për faktin që po gjen mjaft hapësirë për të manovruar politikisht për të sjellë në mënyrë kaq obstruksioniste ndaj Kosovës. Por do të vijë momenti që kjo mungesë uniteti brenda BE’së do të jetë pengesë edhe për Serbinë një ditë“, ka thënë ai.

Rashiti nuk ka hezituar të parashikojë edhe kohën e anëtarësimit të mundshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

„Pas anëtarësimit të Kroacisë, do të ketë një ndalje dhe nuk do të ketë ndonjë anëtarësim deri në vitin 2015, 2016 ose 2017. Ky proces do të përfundojë diku në vitin 2020 ose 2022“, ka vlerësuar ai.

Porosinë që ambasadori Wordsworth e ka prezantuar në Beograd, mediat serbe e kanë cilësuar si një „dush të ftohtë“ për autoritetet e atjeshme për shkak të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Për këtë paralajmërim të Wordsworthit ka folur edhe ballkanologu Franz Lotar Altman, i cili thotë se tentimi i Beogradit për ta ndarë procesin integrues të Serbisë nga çështja e Kosovës nuk është real.

„Brukseli nuk mundet dhe nuk do ta pranojë Serbinë si anëtare të barabartë derisa nuk gjendet një zgjidhje për raportet e saj me Prishtinën“, ka thënë ai për gazetën beogradase „Blic“.

„Në momentin kur Serbia do të bëhej anëtare e plotë, BE’ja do ta kishte humbur adutin kryesor për kushtëzim. Për më shumë, Serbia si anëtare e plotë do të mund të përdorte veton rreth vendimeve për të ardhmen e Kosovës gjë që BE’ja nuk mund ta lejojë. Kosova nuk mund të mbetet gjithmonë jashtë BE’së, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor bëhen anëtare“, ka vlerësuar ai.

Edhe Jelko Kacin, raportues i Parlamentit Europian për Serbinë, ka vlerësuar se të gjithë zyrtarët europianë dërgojnë të njëjtën porosi kur është fjala për raportet Beograd –Prishtinë.

„Raportet Beograd – Prishtinë duhet të vendosen pavarësisht çështjes së statusit”, ka thënë ai.

Ndërkaq, analisti serb, Obrad Kesic vlerëson se Bashkimi Europian nuk ka politikë të përbashkët, por ka theksuar se vendet të cilat janë të papërcaktuara ose kundër pavarësisë shpejt kanë kuptuar se një lloj i pavarësisë është zgjidhja e vetme.

Kesic megjithatë ka thënë se pritjet e Washingtonit dhe Brukselit pas vendimit të GJND’së janë të ndryshme.

“SHBA’ja pret që pas mendimit të GJND’së Serbia të shkojë drejt normalizimit dhe pranimit të faktit se Prishtina është e pavarur. SHBA’ja nuk pret njohje formale, por që Beogradi të ndërpresë aktivitetet që vënë në pikëpyetje pavarësinë”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›