E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikë me fjalë

Pavarësisht deklaratave të shpeshta të Isa Mustafës se LDK’ja duhet të dalë nga koalicioni qeverisës me PDK’në, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, të shtunën, nuk ka kërkuar që kjo çështje të futet në rendin e ditës.

Mustafa dhe zyrtari tjetër i LDK’së, Fatmir Rexhepi, të cilët janë më të zëshmit në promovimin e kësaj ideje, ikjen nga koalicioni e kanë përmendur vetëm kalimthi në fjalimet e tyre, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, organi më i lartë i LDK’së mes dy kuvendeve zgjedhore.

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, Ali Lajçi ka konfirmuar të dielën për Express se çështja e shqyrtimit të koalicionit është përmendur të vetëm kalimthi, edhe atë vetëm nga Isa Mustafa e Fatmir Rexhepi.

“Nuk është ndalur askush në këtë temë. Në këtë mbledhje askush nuk ka kërkuar që të futet në rend dite çështja e koalicionit qeverisës”, ka thënë Lajçi, duke shtuar se në këtë mbledhje kanë qenë vetëm dy pika në rend dite, ajo për Raportin për Zgjedhjet Lokale 2009 dhe për zgjedhjet brendapartiake.

Megjithatë, në mbledhjen e LDK’së, është diskutuar për qasjen e dyfishtë ndaj Qeverisë Thaçi dhe PDK’së.

Shefi i Shtabit Elektoral të LDK’së, Lutfi Haziri, në paraqitje të raportit për zgjedhjet e fundit, u bën thirrje zyrtarëve të partisë që të vazhdojnë të luajnë rolin e dyfishtë – edhe si pushtet edhe si opozitë.

Kjo dëshmohet në raportin e përgatitur nga Haziri për zgjedhjet lokale, ku kërkohet nga zyrtarët e LDK’së që të realizojnë projektet që kanë të bëjnë me votuesin e partisë.

“Nëse këto projekte nuk gjejnë përkrahje nga Qeveria, ne duhet të angazhohemi që të ‘luftojmë’ përmes mediave dhe kështu të pozicionohemi si parti opozitare”, shkruan në raportin e shefit të Shtabit Zgjedhor të LDK’së.

Por, deklaratat e Lutfi Hazirit në këtë raport, Ali Lajçi i quan politika ditore të paqëndrueshme.

“Nuk duhet parë çka ka thënë Luta, se nesër i ndërron. Ai nuk ka strategji afatgjate, por të ditës, të orës e të minutës”, tha Lajçi.

Por, cila është politika e vërtetë e LDK’së, nëse deklaratat e nënkryetarit Lutfi Haziri janë sa për konsum ditor?

“Aktualisht nuk ka strategji dhe profilizim. Deri tash ka qenë amorfe politika aty. Por shpresojmë që tash pas zgjedhjeve në parti, me ekipe të reja të bëjmë reforma. Deri tash nuk ka qenë e artikuluar asgjë”, ka thënë Lajçi, duke shtuar se është dakord që në zgjedhjet e ardhshme në parti të synojë ngritjen në lidership, për t’i ndihmuar reformat në LDK.

“Mendoj se Kuvendi i ri do të zgjidhë shumë çështje. Partia duhet të ketë kryetar, kujtoj unë. Në qoftë se e lënë sërish kështu, mendoj se nuk ka pasur nevojë për të bërë lëvizje të re”, ka thënë Lajçi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partisë më të madhe në koalicionin qeverisës, nuk janë të shqetësuar me qëndrimin e nënkryetarit të LDK’së, Lutfi Haziri, i cili ka propozuar politikë të dyfishtë ndaj Qeverisë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, duke iu referuar qëndrimeve të Hazirit, ka thënë të dielën për Express se mendimet e kundërta individuale janë demokratike dhe Qeveria nuk dëshiron t’i komentojë më shumë.

“Ai është diskutim partiak dhe nuk e komentojmë. Përndryshe, bashkëpunimi në kuadër të Qeverisë është shumë i mirë”, ka thënë Kuçi.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri edhe gjatë fushatës në zgjedhjet lokale ka bërë politikë të dyfishtë. Ai ka kritikuar vazhdimisht Qeverinë Thaçi, pjesë e së cilës është bërë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, me procesin e riformatizimit të Qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›