E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Berisha: Çekia, ndihmë me ekspertë

Çekia do të bëjë gjithçka që është në mundësi të saj për të mbështetur dhe ndihmuar fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe për integrimin në BE. Kryeministri Berisha priti dje një delegacion të Parlamentit të Çekisë, të kryesuar nga kryetari i Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlcek. Ne jemi të gatshëm, - u shpreh Vlcek, - që për sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, të japim të gjithë ndihmesën tonë përmes ekspertëve dhe dhënies së përvojës, nëpër të cilën ka kaluar Çekia gjatë periudhës së integrimit të saj në BE. Gjithashtu kryeparlamentari Vlcek shprehu gatishmërinë e Çekisë për të ofruar ndihmën e saj edhe gjatë procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, duke nënvizuar nevojën e shkëmbimeve të mëtejshme, të takimeve, jo vetëm në nivel kaq të lartë, por edhe nivel ekspertësh dhe komisionesh. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e thellë, që Çekia i ka dhënë Shqipërisë, në procesin e saj të integrimit evropian dhe në integrimin atlantik të vendit. Vizita juaj, - u shpreh Kryeministri Berisha, - është një kontribut i madh në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy popujve tanë. Vendi juaj, - u shpreh Kryeministri Berisha, - e ka mbështetur dhe e ka përkrahur Shqipërinë në aspiratat e saj për integrimin në BE, proces të cilin Shqipëria e sheh të bazuar në meritën dhe në rezultatet e reformave të thella të ndërmarra nga qeveria shqiptare për plotësimin e standardeve të kërkuara. Kryeministri Berisha e njohu kryetarin e Parlamentit çek, me reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare për plotësimin e standardeve për integrimin në BE dhe liberalizimin e vizave, si dhe për luftën e vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend. Kryetari i parlamentit Vlcek e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke shprehur vlerësimet për progresin e arritur nga Shqipëria me reforma të rëndësishme për vendin, drejt integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe gjetjen e fushave me interes për investitorët çekë, si dhe u diskutua për shkëmbimet kulturore në fushën e arsimit, bujqësisë, energjetikës, kulturës etj. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe do të përkrahë investimet çeke në Shqipëri, në mënyrë që ato të jenë një histori suksesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›