Mbledhja e pasmesnatës për imunitetin e Bashës
Vazhdon botimi. Pjesë nga libri i Zogajt, "Të gjithë nëpër vendet e tyre"
- Kritikat e Bazes për "Rrëshen-Kalimash" provokojnë shpërthimin e Berishës -
Koha mbërrin vetë në udhëkryqin e pashmangshëm. Heshtja mbërrin vetë në pikën e ngopjes. Dufi arrin vetë pikën e shpërthimit. Maskat arrijnë vetë çastin e rënies.
Në datën 26 dhjetor 2007-të, vonë afër mesnatës, kur kamerat ishin larguar dhe gazetat që do të botoheshin, të nesërmen ishin mbyllur, gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme të grupit parlamentar të PD-së në sallën e Kuvendit, Berisha, i prerë dhe, madje, i prishur në fytyrë, shpërtheu kundër Mero Bazes, të cilin, për ta "vëllazëruar" me deputetin socialist, Erjon Braçe, e quajti Mero Braçja. Kumti, megjithëse pritej, ushtoi mbytur si një bombë e futur nën tokë. Salla e Kuvendit u krodh në një heshtje edhe më të thellë. Mero Braçe. Erjon Baze. Tani ishin e njëjta gjë.
Berisha po e njoftonte vetë "njësimin politik" të ish-mikut të tij më të afërt me kundërshtarët e tij. Ç'kishte ndodhur?
Prokuroria e Përgjithshme kishte sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit ministrit Lulëzim Basha, që akuzohej për shmangie dhe shkelje të ligjeve shqiptare në tenderimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë.
Ky ishte vënë në vështirësi. Nga njëra anë s'kishte pse përballej e s'duhej të përballej me Prokurorinë, pasi projektvendimet për rrugën, megjithëse të firmosura prej tij - kush mund t'i firmoste tjetër? - i kishte kërkuar kryeministri. Nga ana tjetër, meqenëse ishte i ri në moshë dhe kishte hyrë në politikë si ithtar i ligjit, i duhej të tregonte njëfarë respekti për organin e akuzës.
Gazeta "Tema" ishte tallur atë ditë me të, duke i kërkuar t'i dilte akuzës ballë për ballë. Me fjalë të tjera, të hetohej e gjykohej për hesap të kryeministrit!
Kurrë! Kurrë nuk do të bëhej ajo që ëndërronte Mero Baze! Bashës do t'i hiqej imuniteti sa për sy e faqe, por "Braçja dhe shokët e Bazes" të harronin se do ta shihnin në bankën e drejtësisë! Shkeljet eventuale të Bashës i shkonin automatikisht kryeministrit, rrjedhimisht kryevepra e guximit të tij merrte një njollë, që do t'i fliste historisë me shumë se vepra.
Me të njohurat e saj dhe sidomos me të panjohurat e saj, që i dinin shumë pak njerëz, rruga ishte bërë e po bëhej pashmangshëm momenti i një ndarjeje të madhe, që ishte shumë me shumë se politike. Rruga ishte vija e re e demarkacionit, më e qarta, me e serta. Rruga ishte e tillë që nuk njihte besnikë të një lloji tjetër veçse të verbër.
Kushdo që mbronte rrugën në një anë dhe transparencën për publikun në anën tjetër faktikisht ishte kundër.
Mero...Baze, me demek po mbronte transparencën. Sikur nuk e dinte se transparenca kishte në shënjestër qeverinë, kryeministrin!
Tashmë, zhvillimet kishin mbërritur në një pikë kur kryeministri duhej të shpallte linjën e tij, zgjedhjen e tij. Për ta nisur nga kjo e fundit, zgjedhja e tij ishte Basha, Pollo dhe çdo ministër tjetër që ishte bërë "tabelë qitjeje e atij...faqeziut". Linja ishte e qartë "si rrezja e diellit". Kërkesa e Prokurorisë ishte e pambështetur në prova dhe fakte, pra ishte politike.
Megjithatë, Partia Demokratike nuk hidhte poshtë asnjë kërkesë të Prokurorisë për heqje rast pas rasti të imunitetit të deputetëve të saj. "Ky është standardi i qeverisë sime", tha Berisha. Por, kjo nuk do të thoshte se qeveria, grupi parlamentar dhe mazhoranca nuk do të mbronin deri në fund "rrugën e kombit" nga gjithë armiqtë e saj në opozitë, në prokurori, në gjykatë, në media.
Ta harrojnë! Ta harrojnë...! - po thoshte kryeministri, duke folur me njerëz që jo vetëm nuk ishin aty, por edhe nuk kishin mundësi ta ndiqnin në atë orë të vonë në sallën e heshtur të Kuvendit. Rruga ishte nervi që nuk duronte t'ia prekje. Në të vërtetë, në stilin e tij të përzierjes së letrave, ai nuk po përmendte Lulëzim Bashën, por Genc Pollon si viktimën e sulmeve të Bazes. Unë nuk po u besoja veshëve.
Që Berisha mund t'i merrte me rezervë apo edhe t'i paragjykonte shkrimet kritike të gazetës "Tema" kundër aferave korruptive në Ministrinë e Arsimit, këtë edhe e prisja, por që ta mbronte me patos dhe t'i qante hallin në atë mënyrë ministrit, kjo ishte vërtetë shumë.
Njësia e tij Antikorrupsion kishte vërtetuar, në me shumë se dy raste, shkelje abuzive të ligjit nga vetë ministri Genc Pollo. Gjykata e faktit dhe ajo e Apelit i kishte rrëzuar vendimet arbitrare të Pollos, duke urdhëruar shfuqizimin e tyre. Me arrogancën e tij, të cilën e fshihte prapa një flegmatizmit sa organik, aq edhe të kërkuar, Pollo nuk i zbatonte vendimet e gjykatës, i mbante në sirtar.
Përse një ministër porosit hartimin e vendimeve antiligjore dhe imponon zbatimin e tyre, përveçse për t'i krijuar hapësira përfitimi tarafit të tij? Si është e mundur që një ministër guxon të hedhë në kosh vendimet e gjykatave?
Më ishte dhënë rasti t'ia paraqisja tekstualisht kështu shqetësimet e mia zotit kryeministër. Ai më kishte dhënë të drejtë, duke u zotuar se do të merrte masa. Kurse tani...
Fytyra e Pollos dhe disa fytyra të tjera shndrisnin nga gëzimi me këtë dalje të vonë, por të sertë dhe të pakthyeshme të Berishës nga heshtja e tij e gjatë për t'i kthyer reston "një spekulanti mendjemadh, që kishte shkruar gjoja se e hante meraku se po bëheshin pis duart e pastra të kryeministrit". Kishte harruar se në qeverinë demokratike, ndryshe nga ç'ndodhte në komunizëm, nuk e hanin vetëm liberalët, por edhe sektarët, me demek jakobinët, të pakorruptuarit. I pakorruptuar! Ai që kishte marrë bakshish nga kazinoja, duke bërë gjoja sikur kishte shitur gazetën!
Vezullonin fytyrat e armiqve të Mero Bazes në atë mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar. Deputetët e tjerë rrinin si të ngrirë.
Miqtë e Bazes nuk lexoheshin në asnjë lëvizje muskuli se ishin të tillë. Neutralët e kishin më të lehtë, por kishte edhe prej atyre që në referim të historisë dhe zakoneve të partisë demokratike, po shihnin një rast të artë të binin në sy të kryeministrit, të rifitonin ndonjë pozicion të humbur në përshtypjet e tij. Genc Ruli kishte ulur kokën mbi celular në mejtimin se kryeministri po e fuste Bazen në histori, duke e sulmuar ashtu, faqe elitës politikë të shumicës që qeveriste vendin.
Me gjasë i shkroi një sms: Të futi në histori, o bir!
Ishte e përligjur që Basha dhe Rruga të shënonin momentin e shpërthimit të kryeministrit. Mero Baze kishte prekur vijën e kuqe. Tani do t'i lante të gjitha. Edhe ato të parat.
Basha dhe rruga ishin një binom i pandashëm. Madje, të dukej se Basha kishte ardhur e kishte zënë vendin që kishte në qeveri në radhë të parë për shkak të rrugës. Dhe rruga po ndërtohej ashtu siç po ndërtohej, në radhë të parë për shkak të Bashës.
Mund të ishte gjetur edhe një tjetër në vend të tij - në një qeveri homogjene asgjë nuk mbetet pa u bërë, sepse nuk gjenden njerëz për t'i bërë - por Basha kishte cilësi që e dallonin nga masa e zakonshme e të devotshmëve. Ishte edhe i bindur, edhe guximtar, edhe i gojës. Ai kishte përgatitur e firmosur një procedurë që në pikat e saj themelore nuk parashikohej e nuk gjente mbështetje në legjislacionin shqiptar.
Ai kishte aureolën e juristit perëndimor për të relativizuar këtë shkelje në sytë e publikut. Ai kishte propozuar ndërtimin e rrugës me procedurat e një ligji të huaj, që dikush thoshte se ishte anglez, dikush rumun - ç'rëndësi kishte.
Shqipëria, që nuk kishte kohë për të humbur, kishte një ligj që i vononte projektet e mëdha deri në gjashtë-shtatë muaj në krahasim me "procedurën e re". T'i hyje punës me ligjin shqiptar të prokurimeve ishte njëlloj si të punoje për pasnesër. T'i hyje punës për ta ndryshuar atë ligj, për ta bërë si ai i Anglisë, edhe kjo dukej humbje kohe në parlament.
Pale të dëgjoje atje opozitën llafazane, që ishte stërvitur të pengonte qeverinë! Por ata, meskinë, libreskë, nuk e kuptonin se t'i përqaseshe rrugës së kombit me ligjet që deputetët dhe qeveritë e Shqipërisë së vogël i kanë bërë me frymëzimin e rrugëve ndërqytetëse apo të fshatrave ku janë votuar, do të thotë të kesh horizontin e një nëpunësi... Veprat e mëdha u rrinë gjithnjë ngushtë rregullave dhe ligjeve që janë bërë pa vizionin e madhështisë së tyre.
Kryeministri e kishte vendosur çështjen e procedurës. Ajo do të ishte ekstra, e vlefshme vetëm për Rrëshen-Kalimash. Koha...Koha... Kjo thirrje napoleoniane jehonte në vrullin e tij si në çdo ndërgjegje shtetari. Kishte nevojë ta fillonte shpejt dhe të mbaronte sa më shpejt atë rrugë. Përpara zgjedhjeve të vitit 2009-të. Rruga e kombit do të shënonte mandatin e tij të parë, pse jo, historinë e tij.
Përveç procedurës së re, duhej edhe një kompani e fuqishme dhe...mike, në kuptimin që të punonte në orën e mandatit të kryeministrit. E kishte një ide se cila do të ishte kompania që do të ndërtonte shtyllën kurrizore të rrugës së kombit: Do të ishte kompania "Enka" ishte mikut të tij të madh e të dashur turk Sharek Tara.
Përveçse i fuqishëm si biznesmen, Tara kishte në rremba gjak shqiptari. Ai i ishte gjendur Berishës në ditë të vështira apo kur kishte pasur nevojë. Tani kishte ardhur dita që Berisha t'i kthente mirënjohjen.
Me shumë se kaq: kishte ardhur dita që ata të punonin së bashku për ndërtimin e Shqipërisë së re. E bukur ishte se "Enka" kishte krijuar një konsursium me amerikanen e famshme "Behtel". Pra rrugën do ta fitonte "Behtel & Enka" dhe do të ndërtohej nga "Enka".
Nuk kishte ndërtuar ndonjëherë Shqipëria një rrugë si ajo, që t'i peshonte sendet me kandar farmacie. Në atë festë të madhe të ndërtimit, kombit dhe historisë lejoheshin teprimet. Le të kënaqeshin të gjithë. Çfarë do të humbej në procedurë, do të fitohej në gjeopolitikë, në afate, në perspektivë.
Kështu po merrte formë vendimi për ndërtimin e rrugës me të madhe që Shqipëria ka njohur në tokën e saj. Berisha nuk deshi ta ndante me njeri atë vendim. As me shefin e opozitës. Ky, po të donte, le ta ndiqte në të përpjetat e Fanit.
E dinte dhe ai se ishte një vendim prej cari, që do t'i hapte pashmangshëm problem me opozitën, me Kontrollin e Lartë të Shtetit, me drejtësinë ndoshta. Por i kishte marrë parasysh të gjitha. Rruga si fakt i kryer e dërgonte përtej kohës së tij. Kushedi si ndihej, kur e mendonte të mbaruar.
Ndoshta do ta kishim parë të përfunduar autostradën Rrëshen-Kalimash, pa e marrë vesh me imtësi të vërtetën e tenderimit dhe financimit të saj, sikur inxhinieri Arben Meçe, një ish-student i Lëvizjes së Dhjetorit 1990, të mos kishte denoncuar në një televizion të vogël privat ato që ai i quajti shkelje dhe allishverishe te ministrit Basha me dosjen e rrugës. Basha e paditi Meçen për shpifje.
Hetimet mbi këtë padi i çuan prokurorët e Tiranës tek rindërtimi i gjithë procedurës së tenderimit dhe lidhjes së kontratës. Natyra e fakteve të mbledhura bëri që ata të ndryshonin shënjestrën e hetimit. Nuk ishte i padituri Arben Meçe. Ishin zyrtarët që ishin marrë me përgatitjen e dosjes së rrugës.
Me puritanizmin e dy njerëzve që nuk kanë lidhje me stratagemat, kauzat dhe flateritë politike, prokurorët ndërtuan deri në imtësi figurën e një vepre penale që në të vërtetë nuk ishte fshehur, sado që nuk ishte treguar.
Ata konkluduan se vendimet e qeverisë për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash kishin "legjitimuar" një gjendje paligjshmërie me pasoja.
Në datën 29 maj, pasi e kishin çuar drejt përfundimit hetimin e tyre, prokurorët e Tiranës i lanë një takim ministrit Lulëzim Basha për t'i marrë një deklaratë. Basha nuk u paraqit me justifikimin se ishte i zënë.
Prokurorët kishin formuluar edhe një aktakuzë kundër tij, por ishin të detyruar të tërhiqeshin nga hetimi për mungesë kompetence. Ministri gëzonte mbrojtjen e imunitetit parlamentar. Materialet ia kaluan Prokurorisë së Përgjithshme që kërkoi nga vjeshta autorizimin e Kuvendit për të hetuar Ministrin.
Presioni i opozitës dhe medias kritike për zvarritjen e çështjes nga parlamenti rritej çdo ditë. Në vijën e parë të presionit, por në një pozicion të vetin, ishte Mero Baze. Ky dinte shumë për parahistorinë dhe historinë e rrugës.
Një mbrëmje, në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, mbeti keq përballë pyetjeve dhe prononcimeve të Bazes, i ftuar në atë plate me cilësinë e gazetarit proqeveritar. Topalli kishte shkuar e papërgatitur, duke u besuar fjalëve të rastit dhe serbesllekut.
Berisha, me gjasë, po e ndiqte debatin që nga shtëpia. I kuptonte shumë mirë goditjet e hidhura, plot nëntekste të Bazes. Por ishte e pamundur ta nxirrte nga gropa me sms atë debat të humbur.
Mero Baze paralajmëronte me pyetjet dhe pohimet e tij zgjerimin e frontit të përleshjeve nesër, pasnesër. Po të kapeshin ashtu të gjithë të besuarit e tij, do të ishte fundi. Jo. Do ta merrte vetë përsipër mbrojtjen e rrugës. I dukej më mirë që tipa si Meron t'i kishe përballë.
Mero...Braçe!
Në këtë formë të rëndomtë e shpalli ndarjen me mikun e tij me të afërt e më të vjetër; ndarjen që vetë ky i fundit e kishte kërkuar. Isha në sallën e Kuvendit atë natë të vonë dhjetori. Po merrnim vendim për të votuar të nesërmen a të pasnesërmen heqjen e imunitetit Lulëzim Bashës.
Berisha po shkonte drejt kësaj sakrifice duke shpallur një armiqësi të re. Kisha qëlluar në një karrige afër Genc Pollos që po fërgëllonte nga gëzimi. Edhe pse nuk isha në marrëdhënie të afërta me Bazen, me dëshpëroi ajo që po ndodhte.
Po mendoja: a mund të këtë miqësi në një lidhje, e cila, sapo prishet për një arsye a tjetër, zhduk çdo kujtim të mirë, të bukur...
Nuk ndjehej gjëkundi ekzistenca e një kujtimi të tillë në shfrimin e Berishës. Por e kuptoja shpërthimin e tij, ku ndihej edhe shfrimi që tjetri e kishte detyruar të shfrente. Baze kishte shkuar larg.
Në datë 28 dhjetor Kuvendi votoi. Ministrit iu hoq imuniteti me paramendimin e qartë se nuk do të merrej i pandehur.
Pas kësaj, vetë ministri, kryeministri, shumica parlamentare, partia demokratike, partitë e koalicionit besonin se tani i kishin duart e lira të mbroheshin duke sulmuar nga tribuna e parlamentit, nga tribunat e tjera të politikës, por asnjëherë nga tribuna e drejtësisë.
Duke manovruar me procedurat dhe afatet, Basha, domethënë qeveria, do ta shmangnin deri në fund përballjen në gjykatë me akuzat e ngritura nga Prokuroria. Këto akuza as do të provoheshin, as do të hidheshin poshtë.
Thjesht do të liheshin në fatin më të keq dhe më të dëmshëm që mund të ketë akuza në rrafshin politik dhe moral, që është pagjykueshmëria.
Në 26 qershor 2009-të, në një ceremoni madhështore, që ishte projektuar për të mahnitur vegjëlinë e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe atë pjesë të elitës që mrekullohet tradicionalisht me bëmat e qeverive, në një paradë të mburrjes, kureshtjes, habisë dhe tronditjes, që nuk ishte parë ndonjëherë në luginën e Fanit, kryeministri Berisha preu shiritin e përfundimit të rrugës. Në të djathtë kishte kryeministrin e Turqisë, Taip Erdogan. Në të majtë presidentin e shoqërisë "Enka", Tara, të cilit i adresoi dashurinë dhe mirënjohjen e tij të lartë.
Aty pranë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Përveçse elektorale, festa e asaj dite në Thirrë të Shqipërisë mëtonte të përcillte mesazhe të tjera kuptimplote, me kumbim në histori dhe ardhmëri, në rajon dhe me gjerë.
U bë. Vargu i makinave u nis për të mos u ndalur gjatë tre muajve të verës. Mijëra kosovarë kaluan nëpër rrugën e re drejt bregdetit shqiptar. Mijëra të tjerë u nisen nga Prishtina dhe qytete e tjera vetëm "për ta parë".
Tuneli i përuruar para kohe mbajti sa mbajti dhe u mbyll në fund të muajit shtator për shkak të shkarjeve serioze në pjesën e dyshemesë.
Tuneli tjetër u shemb në muajin nëntor me dridhjen e një tërmeti të fuqishëm që u ndie deri në Rrëshen.
Rruga u mbyll... Ishte fituar nga "Behtel & Enka" me çmimin e përafërt 418 milionë dollarë. Kishte kushtuar dyfishin për të shkuar deri te shiriti i përurimit, por kërkonte miliona të tjerë për t'u rihapur.
(Vijon në numrin e nesërm)