E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numri dy i PE në Tiranë: Kompromisi të gjendet në Kuvend

PE, thirrje PS-së: Bëhu pjesë e hetimit të zgjedhjeve

Parlamenti Evropian kërkon zgjidhjen e ngërçit politik brenda mureve të institucionit të Kuvendit, duke i bërë të qartë opozitës së majtë, që tiu japë fund politikave të bojkotit dhe të bëhet pjesë e proceseve të integrimit të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, PE-ja jep garanci të plotë për të lobuar për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për vendin tonë. Por më parë, PE kërkon bashkëpunimin e opozitës me pozitën. Gjatë vizitës së tij 2-ditore në Tiranë, zëvendëspresidenti i PE-së, Pittella, zhvilloi takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, si dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Në këto takime u diskutuar për situatën politike në vend, ku Pittella u shpreh pro dialogut parlamentar. Sipas tij, Parlamenti është shtëpia e të gjithëve dhe ne e favorizojmë dialogun në Kuvend. Unë shpresoj, - ka deklaruar zëvendëspresidenti Pittella, - që socialistët të bëhen pjesë jo vetëm e transparencës së zgjedhjeve më të mira dhe të ndershme, por mbi të gjitha të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në debatet parlamentare. "Jemi në Shqipëri për të shprehur ndjenjat tona të afrimitetit me popullin dhe vendin tuaj. Por mbi të gjitha, jemi këtu për të shprehur mbështetjen tonë për aspiratën tuaj të drejtë për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ashtu sikurse për sa i përket çështjes së vizave, unë dua të shpreh mbështetjen time të madhe. Personalisht do të ndikojë në Komisionin Evropian, si dhe do të flasë me komisioneren Malmstrom për nevojën për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave siç ka ndodhur për vendet e tjera të Ballkanit", - deklaroi z. Pittella.

Pittella-Topalli: Opozita të dialogojë në Kuvend

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Pittella, garantoi dje kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për angazhimin e tij personal dhe të PE-së në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se kryetarja e Kuvendit i kërkoi zv.presidentit të PE-së, Pittella, mbështetje për heqjen e vizave në Parlamentin Evropian, por edhe përmes influencës së tij në raportet më përfaqësues të lartë të politikës evropiane. Pittella siguroi kryetaren e Kuvendit për përkrahjen dhe influencën e tij personale gjatë procesit të heqjes së vizave, por dhe në përshpejtimin e proceseve integruese. Duke u ndalur në situatën politike, kryetarja Topalli ftoi sërish opozitën të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, duke theksuar se "askush më shumë se unë si kryetare e Kuvendit, nuk është e interesuar të shohë opozitën të jetë pjesë e veprimtarisë së plotë të Parlamentit. Parlamenti është vendi i dialogut, i negociatave dhe kompromiseve". "Unë shpresoj që deputetët e opozitës të bëhen pjesë, jo vetëm e transparencës së zgjedhjeve më të mira e të ndershme të realizuara në Shqipëri, por mbi të gjitha të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në debatet për ekonominë, shëndetin, arsimin, rrogat e pensionet", - tha znj. Topalli. Nga ana e tij zëvendëspresidenti i PE-së, Pittella tha se "Parlamenti është shtëpia e të gjithëve dhe ne favorizojmë dialogun në Parlament". Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori italian në Tiranë, Saba DElia.
Pittella-Topi: Integrimi kërkon stabilitet politik

PE, përmes zëvendëspresidentit Pittella, shprehu dje besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses dhe sa më shpejt detyrimet integruese për në BE. Gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi, z. Pittella theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në vend për këtë proces. Më tej, ai vlerësoi rolin pozitiv e moderues të Presidentit Topi për zgjidhjen e ngërçit aktual politik, duke vënë në pah gjithashtu edhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në integrimin e këtij rajoni në familjen evropiane. Nga ana e tij, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të situatës politike aktuale në vend, ai shprehu dhe vullnetin për rritjen e kontakteve me Parlamentin Evropian. Gjatë takimit, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të liberalizimit të vizave, i cili do të sigurojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë, si një hap përshpejtimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i shërben stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni dhe afirmon njëkohësisht rolin e BE-së, si një organizatë ndërkombëtare me influencë të gjerë. Shqipëria kontribuon mjaft në rritjen e stabilitetit në rajon me anë të rritjes së bashkëpunimit me vendet fqinje, dhe jep garanci për zhvillimin e tij, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm, - theksoi Presidenti Topi. Presidenti Topi shprehu gjithashtu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike me Italinë dhe theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat është mjaft i rëndësishëm.

Pittella me socialistët: Shqiptarët i meritojnë vizat

Pas takimeve në Tiranë me Presidentin Bamir Topi dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zëvendëspresidenti i PE-së, Pittella bashkëbisedoi me deputetë të PS-së në një aktivitet me tematikë Vizat, tek hotel Adriatik në Durrës. Të pranishëm në aktivitet ishin deputetët socialistë Gramoz Ruçi, Eduart Shalsi, Taulant Balla, Ledi Shamku, Olta Xhaçka, Blendi Klosi, Ilir Beqja e etj. Mediat pyetën Pittella-n për situatën politike në Shqipëri dhe zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, nuk ngurroi të uronte një klimë të qetë politike. Pittella gjatë aktivitetit diskutoi për liberalizimin e vizave, ku theksoi se do ti kërkojme Komisionit Evropian përshpejtim të procedurave për Shqipërinë. Shqipëria meriton liberalizim vizash. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›