E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Gaiani: Palët t`u largohen skemave partiake

Ambasadori italian Massimi Gaiani i ka bërë apel klasës politike të largohet nga skemat partiake dhe të fokusohen te integrimi i vendit.
 

Gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit, ambasadori Gaiani ka përshëndetur edhe progres-raportin e KE-së për Shqipërinë duke theksuar se ka ende shumë punë për tu bërë nga politika shqiptare.
 

“Përshëndes rekomandimin e KE për dhënien e statusit të BE Shqipërisë. Italia është ndër mbështetëset kryesore për integrimin e Shqipërisë. Politika shqiptare ka bërë shumë, por ka ende shumë punë për të bërë në luftën ndaj korrupsionit. Unë i bëj apel klasës politike të largohen nga skemat partiake dhe të përqëndrohen tek integrimi" tha ambasadori.
 

Sipas tij integrimi i vendit është në dorë të politikës shqiptare pasi vetëm duke u përmbushur kriteret e kërkuara nga Brukseli do të bëhet e mundur realizimi i këtij procesi.
 

“Shqipëria është në hapat e fundit të integrimit dhe politika e ka në dorë këtë proces. Shqipëria duhet të realizojë porositë e Bashkimit Evropian” tha ambasadori italian.
 

Në datën 10 tetor Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë por me kushte. Sipas progress raportit të KE-së Shqipëria duhet të miratojë deri në dhjetor ligjin për Gjykatën e Lartë, ligjin për administratën shtetërore dhe reformën parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›