E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Rama: Po e pengon Berisha, opozita i bëri detyrat

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se përparimi i Serbisë në marrjen e statusit kandidat  për në Bashkimin Europian tregon edhe njëherë dështimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka theksuar se vendi ynë rrezikohet sërish të mbetet jashtë dyerve të Europës duke dështuar kështu për të tretën herë.
 

“Përparimi i Serbisë nxjerr në dritë prapambetjen e Shqipërisë. Ajo çka kurrë s`duhet të kishte ndodhur po ndodh. Shqipëria jo vetëm parakalohet nga Serbia në një proces ku objektvisht gjendjej shumë më përpara por rrezikon të mbetet përsëri jashtë duke dështuar si askush tjetër në historine e integrimit europian për të trejtën herë radhazi” ka theksuar Rama.
 

Duke iu përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Berisha se opozita po bllokon procesin e integrimit, kryesocialisti Rama ka theksuar se shefi i qeverisë po mundohet të fsheh dështimin duke ngritur mjegullën e fajësimit kundër opozitës.

“Opozita i ka bërë detyrat e shtëpisë ndërsa qeveria s`ka bërë asnjë nga detyrat e saj të drejtpërdrejta. Statusi nuk merrret vetëm duke miratuar ligjet me 3/5 dhe ja ku jemi falë angazhimit të opozitës por përveç miratimit duhet të ketë implementimtë ligjeve, drejtësi e barabartë, shoqëri e lirë me konkurencë dhe këto janë detyra shtëpie për qeverinë dhe jo për opozitën” ka shtuar më tej Rama.

Ai ka theksuar se mazhoranca ka shkelur qëllimisht afatin për reformën zgjedhore ndërsa ka shtuar nuk është opozita që ka bllokuar reformat por kryeministri Berisha.

“Afati është shkelur dhe reforma është në hapat e parë për shkak të zvarritjes së qëllimshme. Ju bëj me dije se në takimin me ambasadorët morëm përgëzime të plota për rolin tonë, por ky mbetet i pamjaftueshëm për t’u gëzuar përballë faktit të pangushëllueshëm për shkak të prapambetjes fatale. Opozita jo vetëm nuk po bllokon asgjë si thotë paturpësisht kryeministri, por po bën gjithçka mundet dhe për këtë po merr vlerësimin nga ndërkombëtarët”- tha Rama.

Sipas tij, opozita është e shqetësuar çdo ditë e më shumë që mosshfrytëzimi i kohës për legjislacionin zgjedhor dhe shtyrja e afatit mund të dëmtojë implementimin e reformës duke bërë të pamundur përgatitjen e infrastrukturës për zgjedhjet.

“Ne duam zgjedhje të lira e të ndershme dhe duam që mekanizmat që garantojnë listat, qendrën e votimit dhe administrimit të përfshihen në ligj. Berisha preferon këtë sistem, që ne e mbështesim, por duket se ai preferon edhe mbajtjen e të njëjtit sistem administrimi ku ka mundur të rrisë farën e korrupsionit zgjedhor dhe vjedhjen e zgjedhjeve” shtoi Rama.

Ai ka akuzuar qeverinë dhe kreun e saj, Berisha se është gati të zgjedhë status quo që për faj të qeverisë do të turpërojë për të tretën herë Shqipërinë si klasë ngelësash në provimin e BE-së.

“Statusi i kandidatit është interes kombëtar dhe nuk tradhtohet për interes partiak, kryerja e reformës e më pas mbajtja e zgjedhjeve përbëjnë po ashtu interes kombëtar” ka theksuar më tej Rama.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›