E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, Sannino takon Topallin: Duhet vullnet nga të gjitha palët

TIRANE - Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes palëve për integrimin e vendit. Gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Stefano Sannino vlerësoi zhvillimet pozitive në Kuvendin e Shqipërisë dhe bëri apel për vijimin e reformave në të mirë të vendit.

“Për integrimin europian duhet një impenjim unanim dhe vullnet nga të gjitha palët. Shqipëria duhet të vijojë me ritmin e reformave. Në parlament ka zhvillime pozitive, siç janë votimi i disa prej ligjeve me 3/5-tat, nisja e punës për reformën zgjedhore, si dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Ne ndjekim me vëmendje ecurinë e këtyre zhvillimeve, duke shpresuar që dialogu të jetë i qëndrueshëm”- deklaroi Saninno.

Nga ana e saj kryeparlamentarja Topalli falenderoi zotin Sannino për mbështetjen e KE-së dhe kontributin e tij personal në zhvillimet pozitive në Shqipëri.

“Si Kryetare e Kuvendit ndihem mirë që në nëntor opozita iu bashkua mazhorancës në një marrëveshje për votimin e ligjeve me 3/5 si dhe për Reformën zgjedhore. Presim që opozita t’i qëndrojë marrëveshjes së nëntorit. Në Parlament kemi zbatuar dhe do të zbatojmë vetëm ligjin, Rregulloren dhe Kushtetutën.”- theksoi Topalli.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›