Integrimi, Westerwelle: Plotësoni rekomandimet, duhet punë konkrete
Ministri i Jshtëm, Edmond Panariti ka marrë pjesë sot në darkën e shtruar nga Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle, për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në konferencën e Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore.
Në takimin që pati me homologun shqiptar, Westerwelle vleresoi progresin e arritur deri tani në Shqipëri dhe klimën politike që u krijua për miratimin e reformave dhe ligjeve të nevojshme për plotësimin e rekomandimeve të komisionit evropian. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e miratimit të ligjeve të mbetura dhe marrjen e hapave konkrete për zbatimin e kësaj pakete rekomadimesh, e cila nuk duhet bërë pjesë e interesave të ngushta politike.
Ministri Westerwelle konfirmoi se vendi i tij është mbështetësi më i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Eshtë vetë Shqipëria, dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ato që do të përcaktojnë perspektivën e tyre drejt integrimit evropian, integrim i cili mbështetet nga Gjermania dhe vendet e tjera anëtare të BE. Ai theksoi se Evropa nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Gjatë takimit Ministri Ëesterëelle vlerësoi, gjithashtu, politikën konstruktive rajonale të Shqipërisë e cila ka kontribuar dukshëm në stabilitetin e rajonit.
Ndërsa Panariti e informoi atë në lidhje me zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri në kuadrin e plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai tha se forcat politike shqiptare kanë arritur konsensuse të rëndësishme për të plotësuar reformat e kërkuara nga Komisioni Evropian dhe shprehu besimin se dhe tre ligjet e mbetura nga paketa e 12 rekomandimeve do të miratohen nga Parlamenti shqiptar në një kohë të shpejtë.
Panariti i kërkoi ministrit Westerwelle mbështetjen e Gjermanisë për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Sipas tij, marrja e statusit do të ishte jo vetëm një realizim i një aspirate të fuqishme të popullit shqiptar në këtë vit të rëndësishëm të historisë së tij, që shënon 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, por do të ishte një kontribut i rëndësishëm për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane pasi në të kundërt në këto vende do të gjenin terren tendencat ekstremiste dhe nacionaliste që do të rrezikonin marrëdhëniet miqësore mes vendeve.
Në kuadër të kësaj vizite Panariti u takua edhe me kreun e Komisionit për politikën e jashtme në Bundestagun gjerman, Rupert Polenz.
/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: