E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, ambasadorët: Të përmbyllen reformat

Bashkimi Europian rrit presionin ndaj Shqipërisë për përmbushjen e reformave të integrimit dhe zgjedhjen e një presidenti sa më konsensual. Ambasadorët e Holandës Henk G.C. van den Dool dhe i Suedisë Lars Wahlung duke folur nga Elbasani dhe Gjirokastra, theksuan nevojën e mbylljes së reformave të kërkuara para nisjes së procesit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
 

“Kjo është diçka për të cilën duhet punuar me shumë kujdes dhe sigurisht për të patur një raport progresiv i cili do të prezantohet në vjeshtën e këtij viti dhe deri atëherë ka mjaftushëm kohë për të bërë një punë të mirë. Mendoj se ka disa çështje të cilat duhet punuar, si roli i ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e njeriut etj… Nuk dua ta zgjas më shumë por mendoj se këto janë disa nga kriteret të cilat janë të rëndësishme dhe sigurisht duhen plotësuar” theksoi Wahlung.
 

Ndërkohë duke folur për pasardhësin e Bamir Topit, ambasadori i Holandës thotë se presidenti duhet të dalë nga një proces konsensual e gjithëpërfshirës dhe të arrijë të gjejë miratim që në votimin e parë në Kuvendin e Shqipërisë.
 

“Do të ishte ideale që presidenti të zgjidhej me 140 vota që në raundin e parë dhe zgjedhja e tij duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Posti i presidentit nuk është politik dhe ai përfaqëson unitetin. Zgjedhja e presidentit duhet të afrojë politikën me shqiptarët pasi ” ka shtuar ai.
 

Edhe ambasadori suedez kërkon një proces gjithëpërfshirës dhe që presidenti të jetë rezultat i konsultimeve mes palëve.
“Procesi i zgjedhjes së presidentit është një proces shumë i rëndësishëm, sigurisht që zgjidhet nga parlamenti dhe jo direkt nga populli dhe mendoj se ju përket anëtareve të parlamentit që të zgjedhin presidentin, duke ju referuar kushtetutës. Nuk dua të përfshihem më shumë në këtë çështje por mendoj se është e drejtë e çdo vendi, gjithashtu edhe këtu, që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, proces i shoqëruar me bisedime ku palët të bien dakort për kandidaturat” theksoi ai.
 

Ambasadori suedez Wahlung gjatë të vizitës së tij në Gjirokastër është takuar me kryetarin e bashkisë, ndërsa ambasadori hollandez mori pjesë në një debat publik me temë "Rritja e demokracisë pjesëmarrëse në nivel lokal" ne Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›