Integrimi në BE, Pirdeni: Viti 2030 nuk është deklaratë politike e pabazë

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorruspionin, Adea Pirdeni vlerësoi se “Shqipëria ka bërë një progres të kënaqshëm sa i përket çeljes së negociatave”, ndërsa u shpreh se objektivi për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 nuk është deklaratë politike e pabazë.
Në një intervistë televizive, Pirdeni theksoi se “gjatë kësaj periudhe jo vetëm qeveria shqiptare, por të gjitha institucionet që mbartin detyrime në kuadër të negociatave kanë performuar kënaqshëm për të hapur negociatat”.
“Bëhet fjalë për grupkapitujt ku përfshihen themelet e shtetit të së drejtës, që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve demokratike, reformat e ato shtylla që janë thelbësore që vërtetojnë avancimin e një vendi”, u shpreh ajo.
Por, sipas ministres, puna nuk mbaron këtu, përkundrazi do të intensifikohet edhe më tej për periudhën në vijim. “Gjithë ekipi që mbartin detyrime do të jenë më shumë të angazhuar për periudhën në vijim për t’i qëndruar besnik qëllimit tonë final”, theksoi ministrja.
Pirdeni ndër të tjera tha se viti 2030 si afat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nuk është as slogan politik e as deklaratë e pabazë.
“Në fakt viti 2030 nuk është as slogan politik as deklaratë politike e pabazë. Ka marrë inspirimin fillestar në një rezolutë të Parlamentit Europian të Korrikut 2030 që nxit Komisionin Europian dhe qeverinë shqiptare e të gjitha institucionet që të përgatisin aderimin e Shqipërisë brenda BE brenda kësaj dekade. Është vendosur një axhendë shumë ambicioze për të mundësuar jo vetëm që Shqipëria të hapë të gjithë grupkapitujt brenda 2025 dhe pastaj të mbyllë provizorisht kapitujt brenda 2027 që më pas të përgatitet procesi i aderimit përmes nënshkrimit të traktatit të aderimit. Kjo është një axhendë që kemi rënë dakord me partnerët tanë”, tha ajo.
Ministrja u shpreh se procesi nuk është i thjeshtë dhe se duhet angazhimi i të gjithë institucioneve për të avancuar.
“Procesi nuk është i thjeshtë dhe nënkupton përfshirjen e të gjithë aktorëve përgjegjës që bartin përgjegjësi në fushën e tregut në Shqipëri, por gjithashtu edhe shoqëria civile, por edhe media ka një rol shumë të rëndësishëm për të mbajtur gjallë këtë momentum shumë pozitiv që Shqipëria ka aktualisht për të avancuar me procesin e negociatave”, theksoi Pirdeni.
BE nisi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Tiranën më 15 Tetor duke hapur grupkapitullin I, atë të parimeve themelore, i cili sipas metodologjisë së rishikuar është edhe i fundit që mbyllet.
/m.m/ /a.g/