Miratohet numri i mandateve për çdo qark; Tirana bëhet me 37, një i hiqet Korçës

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Në mbledhjen e sotme të Komisionit Rregullator të KQZ-së është miratuar projektvendimi për “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, për zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025”.
Qarkut të Tiranës, për zgjedhjet që do të mbahen më 11 maj të vitit të ardhshëm, i është shtuar një mandat duke e çuar numrin e përfaqësuesve në Kuvend në 37 nga 36 që ishte deri tani.
Një mandat i hiqet Korçës, duke e çuar numrin në 10 mandate, nga 11 që kishte.
Ndarja e re e mandateve:
Qarku Berat – 7 mandate
Qarku Dibër – 5 mandate
Qarku Durrës – 14 mandate
Qarku Elbasan – 14 mandate
Qarku Fier – 16 mandate
Qarku Gjirokastër – 4 mandate
Qarku Korçë – 10 mandate, një ulje numri
Qarku Kukës – 3 mandate
Qarku Lezhë – 7 mandate
Qarku Shkodër – 11 mandate
Qarku Tiranë – 37 mandate, 1 më tepër
Qarku Vlorë – 12 mandate
Gjithashtu, Komisioni Rregullator shqyrtoi edhe projektvendimin “Për caktimin e kufijve dhe ngritjen e zonave të administrimit zgjedhor, për Zgjedhjet për Kuvend të vitit 2025”.
Komisioni caktoi kufijtë dhe ngritjen e 93 (nëntëdhjetë e tre) Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvend, që do të mbahen në datën 11 Maj 2025.
Bashkitë që kanë më shumë se 80 mijë shtetas me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja në më shumë se sa një ZAZ, duke respektuar kriterin e pandashmërisë së territorit të njësisë administrative, vazhdimësinë dhe kompaktësinë e territorit, barrierat gjeografike, mundësitë e mira të komunikimit brenda territorit dhe numër të përafërt zgjedhësish.
Komisioni Rregullator vendosi shtyrjen e shqyrtimit të projektvendimit “Mbi rregullat për numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë, dokumentacionin përkatës dhe mënyrën e plotësimit të tij, si dhe tabelimin e rezultatit të votimit nga jashtë”.
/m.q/ /a.g/