E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Team Albania në Bruksel, Dhuka: Mundësi unike kontributi për çdo profesionist brenda dhe jashtë vendit

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ftoi sot çdo shqiptar dhe shqiptare brenda apo jashtë vendit që të bëhen pjesë e skuadrës së Shqipërisë Team Albania, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian

“Misioni ynë diplomatik në Bruksel hap dyert për çdo shqiptar e shqiptare, brenda apo jashtë vendit, që ka pasionin patriotik, ambicien profesionale dhe aftësinë për t’u bërë pjesë e Team ALBANIA në kryeqytetin e Evropës, e për të kontribuar atje në anëtarësimin e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatore e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka në një video të shpërndarë nga kreu i qeverisë shprehet se, “sot Shqipëria është më afër se kurrë më parë nga ëndrra e saj evropiane. Më 15 tetor sapo kemi hapur negociatat teknike me Bashkimin Evropian. Shqipëria është në miljet e fundit për të përmbushur kriteret për t’u bërë vend anëtar i familjes evropiane. Ekipi kombëtar i negociatave ia doli, e përmbylli me vlerësim dhe nder shqyrtimin analitik të ashtuquajturin screening me BE-në dhe negociatat për 8 kapitujt dhe kriteret u çelën. Ky është vetëm fundi i fillimit”.

“Jemi ulur në tryezën e bisedimeve me BE-në. Tani një sfidë e re dhe e vërtetë është përpara. Të arrijmë të gjitha kriteret për anëtarësim brenda kësaj dekade. Është momenti ynë. Është momenti për Shqipërinë”, thekson Dhuka.

“Shqipëria do të përfaqësohet denjësisht pranë institucioneve më të rëndësishme evropiane, me energjinë e veçantë shqiptare, atë të profesionistëve më të mirë të saj, atë të më të mirëve”, nënvizon ajo.

“Ne po rindërtojmë Team Albania, po fuqizojmë misionin tonë pranë BE-së në Bruksel. Është një mundësi unike për çdo profesionist brenda dhe jashtë vendit, në mendimin tim modest”, shton Dhuka.

Ministrja fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë dhe konkurrojnë në misionin shqiptar në Bruksel.

“Misioni ynë në Bruksel është ura e ndërveprimit dinamik me kolegët evropianë në BE. Së bashku mund të përshpejtojmë rrugën drejt anëtarësimit, familjes evropiane. Kjo është koha jonë, e profesionistëve të Shqipërisë. Lëre dhe ti gjurmën tënde në rrugëtimin historik të Shqipërisë drejt familjes evropiane. Apliko tani, apliko për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë të re Team Albania, misionit tonë në Bruksel”, shprehet Dhuka.

Të interesuarit mund të aplikojnë dhe konkurrojnë tek linku https://punetejashtme.gov.al/…/thirrje-per-shprehjen-e…/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›