Integrimi në BE, eksperti Vurmo: Dy grupkapitujt e fundit janë më sfiduesit për Shqipërinë

Bashkimi Evropian miratoi së fundmi hapjen e negociatave për 8 kapituj të rinj në kuadër të grupkapitullit 3, “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, që përfshin fusha kyçe, si arsimi, digjitalizimi, punësimi, politikat ekonomike, tatimet dhe inovacioni.
Lidhur me këtë hap që shënon një etapë të rëndësishme në procesin e integrimit e Shqipërisë, eksperti i çështjeve të integrimit, Gjergji Vurmo, në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, tha se Shqipëria ka hyrë në fazën më intensive të negociatave.
“Kemi hyrë në fazën më intensive për negociatave. Kanë mbetur vetëm dy grupkapituj që janë mjaft sfidues për vendin. Në rastin e Shqipërisë, duke pasur parasysh progresin e bërë ndër vite, procesi bëhet me sfidues në grupkapitujt ku kërkohet një lloj përgatitjeje më teknike dhe institucionale. Sfida qëndron më shumë te kapacitetet institucionale, kapacitetet njerëzore sesa te vullneti politik, që për fat të mirë në rastin e Shqipërisë nuk është vënë në dyshim nga pozita dhe opozita. Për qytetarët do të thotë një hap më pranë të qenët anëtar i BE-së me të drejta të plota, edhe pse për kapituj të caktuar vendi duhet të kalojë periudha tranzitore më të gjata përtej anëtarësimit në BE kurdo që të ndodh ky anëtarësim. Për këtë periudhë do të ketë në monitorim edhe më të rreptë nga ana e Komisionit Europian”, tha Vurmo.
Me hapjen e grupkapitullit të tretë, Vurmo nënvizoi se kapitulli më sfidues do të jetë ai që lidhet me konkurrueshmërinë, për të cilin kërkohet forcimi i institucioneve mbikëqyrëse dhe sigurimi i konkurrencës së lirë në treg.
“Në këtë grupkapitull që sapo u hap nuk ka sfida shumë të mëdha. Më sfidues do jetë kapitulli që ka të bëjë me konkurrueshmërinë, pasi duhet të merren disa masa për të konsoliduar institucionet që duhet të mbikëqyrin konkurrueshmërinë në vend dhe institucionet e tjera që mundet potencialisht që të prishin konkurrencën e lirë të tregut”, shtoi ai.
Sipas ekspertit kanë mbetur vetëm dy grupkapituj për t’u hapur, 4 dhe 5, që janë ndër më sfiduesit dhe kërkojnë përgatitje të thelluar institucionale dhe teknike.
Vurmo u shpreh se dy grupkapitujt e fundit kërkojnë përgatitje më të thelluar në fushat si bujqësia, mjedisi dhe zhvillimi rural, jo vetëm angazhim institucional, por edhe kapacitete të përmirësuara të sektorit privat dhe shoqërisë civile.
“Bujqësia, mjedisi, zhvillimi rural kërkojnë përgatitje institucionale në disa nivele të qeverisjes dhe kapacitete shoqërore, ekonomike, të sektorit privat që kërkojnë kohë për t’u zhvilluar dhe në rastin e Shqipërisë përgatitja e këtyre kapaciteteve shtesë është diçka që ne po përballemi aktualisht. Në 5 vitet e fundit BE nuk na ka ndihmuar me fonde dhe programe asistencë shtesë në këtë fushë siç ka pasur p.sh. Kroacia duke i mundësuar asaj një integrim më të lehtë të ekonomisë kroate me atë të BE pas anëtarësimit. Grupkapitujt e fundit 4 dhe 5 janë realisht më të vështirë, më sfidues nga pikëpamja institucionale dhe kërkojnë një faturë financiare mjaft solide”, tha ai.
/rtsh.al/