E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, plani "Fratini" për Ballkanin

Diplomacia italiane bën thirrje për mbledhjen e një samiti evropian në qendër të të cilit të jetë Ballkani Perëndimor. Ky është një prej tetë propozimeve të bëra publike nga ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini. Plani është shpalosur gjatë punimeve të Samitit të Pragës, ku ishin të pranishëm ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe diplomatët amerikanë. Paketa synon përshpejtimin e rrugës integruese në organizmat euroatlantikë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Propozimi i parë ka të bëjë me regjimin e lirë të vizave. Italia shpreson që raporti i Komisionit Evropian për këtë çështje të jetë gati në fund të muajit maj dhe të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur. Së dyti, Italia mendon se në fund të muajit maj, Komisioni Evropian do të mund të fillojë përgatitjet për raportin teknik rreth aplikimit të Malit të Zi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ky veprim mendohet të vazhdojë më pas në të njëjtën mënyrë me Shqipërinë dhe Serbinë. Së treti, Italia synon që të mbyllen negociatat për pranimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2010. Referuar kësaj çështjeje, Italia mbështet atë çka cilësohet "road-map" për Kroacinë, dokument i hartuar nga Komisioni Evropian dhe që përshkruan rrugën që duhet të ndjekë ky vend. Së katërti, Italia bën thirrje për forcimin e rolit evropian në Bosnjë-Hercegovinë. Së pesti, Italia kërkon që të zhbllokohet hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Duke i kërkuar Beogradit një bashkëpunim të plotë me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës dhe të mirëpresë një vizitë të prokurorit Serge Brammertz. Pika e gjashtë e planit "Fratini" flet për zhbllokimin e shpejtë të çështjes së emrit të "Maqedonisë", në mënyrë që të kalohet te negociatat për pranimin në Bashkimin Evropian dhe futjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Së shtati, diplomacia zyrtare italiane thekson rëndësinë e mbështetjes për Kosovën. Një veprim që parashikon asistencë financiare, por edhe koordinim të prezencës ushtarake dhe civile në këtë vend. Pika e tetë e planit propozon thirrjen e një samiti BE-Ballkan Perëndimor, në fillim të vitit 2010 teksa dëshirohet edhe pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë aktivitet.

Vëzhgimi

Komisioni Evropian monitoroi

Shqipërinë gjatë marsit

Gjatë gjithë muajit mars, ekspertë të Komisionit Evropian dhe përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, monitoruan Shqipërinë. Ata analizuan ecurinë në fusha kyçe si siguria e dokumenteve, migracioni, menaxhimi i kufijve dhe azili, institucionet e zbatimit të ligjit, si edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këta ekspertë do të përgatisin një raport dhe do t‘i dërgojnë Komisionit Evropian konkluzionet e tyre, të cilat do të përdoren për të propozuar lëvizjen e lirë pa viza për ato vende që i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara më parë. Raporti, siç është paralajmëruar, do të dorëzohet në Komisionin Evropian brenda muajit maj. Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, deklaroi pak kohë më parë se për ato vende që do të vlerësohen pozitivisht do të ketë vendimmarrje. Rehn iu referua rastit të Maqedonisë, për të cilin një vendim i tillë është thuajse i sigurt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›