E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i opozitës Rama mbledh ish-punonjësit e policisë

Partia Socialiste nis përgatitjet për të garantuar që çdo votë që është dhënë për të, të shkojë për llogari të saj. Kryetari i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, dhe koordinatori për sigurinë, Pjerin Ndreu, zhvilluan dje në hollin e selisë rozë një takim me ish-titullarë policie dhe krerë të strukturave të PS-së. Aty mësohet të jetë diskutuar mbi strategjinë e "ruajtjes" së votës teksa është premtuar se çdo person që është shkarkuar pa të drejtë nga detyra do të rikthehet në punë. Burime nga takimi bëjnë të ditur se do të ketë një bashkërendim mes ish-punonjësve të Policisë së Shtetit dhe strukturave të partisë për të vëzhguar dhe evidentuar çdo parregullsi që mund të shihet gjatë procesit të votimit e mandej atij të numërimit të votave. Një rrjet i tillë bashkëpunimi ka funksionuar edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007 dhe rezultatet pozitive të kësaj strategjie kanë bindur drejtuesit e PS-së që të riorganizohen në të njëjtën mënyrë. Në takim kanë marrë pjesë kryesisht ish-titullarë të Policisë së Shtetit që janë larguar nga puna për arsye politike. Strategjia e ruajtjes së votës është në kuadër të përgatitjeve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e qershorit të 2009-s. Strukturat e partisë kanë marrë udhëzimet e duhura për t‘u përgatitur për fushatën elektorale. Prej kohësh në PS ka nisur puna nga rrjeti i vullnetarëve, të cilët janë duke zhvilluar takime me qytetarë të thjeshtë, ku plotësohet edhe një formular. Në bazë të përgjigje që jepen, evidentohen se cilat janë problemet që shqetësojnë qytetarët, cilat janë preferencat e tyre politike etj. Një tjetër hallkë është ajo e sistemit të patronazhit. Në bazë të tij, qëndron puna e drejtuesve të strukturave në bazë dhe anëtarëve të thjeshtë për të evidentuar mbështetësit e PS-së ose zgjedhësit e pavendosur, afrimin e sa më shumë anëtarëve të rinj etj. Prej disa muajsh është ngritur shtabi i qendror elektoral, i cili herë pas here zhvillon takime me krerët e shtabeve në rrethe ku jepen udhëzimet e duhura për mënyrën e organizimit. PS ka ndarë anëtarët e kryesisë në 12 qarqe, sipas ndarjes së re zgjedhore, të cilët quhen kujdestarët politikë. Kujdestarët kanë për detyrë të ndjekin nga afër të gjitha përgatitjet e bazës për zgjedhjet. Njëkohësisht PS po i jep rëndësi imazhit të saj mediatik. Kryesisht, anëtarët e kryesisë janë trajnuar nga ekspertë të huaj, italianë e amerikanë se si duhet të veprojnë, reagojnë apo çfarë mesazhi duhet të artikulojnë kur të jenë në debate televizive. Me afrimin e zgjedhjeve pritet që të zbardhet një detaj i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve si slogani i PS dhe lista e 140 kandidatëve. Për një organizim model të fushatës elektorale, PS ka kontaktuar me një kompani amerikano-izraelite, e cila bën dhe zbaton strategjinë e PS-së të këtyre muajve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›