Intelektualët e pushtetit
Pushteti e ka shumë të vështirë të ruajë pozicionet e veta hegjemonike vetëm nëpërmjet instrumenteve të forcës, si ushtria apo policia. Strukturën hegjemonizuese pushteti e krijon duke përdorur edhe atë që konvencionalisht quhet Shoqëri Civile, e që në fakt janë intelektualët në shërbim të pushtetit. Sigurisht, sna mbetet veç ti denoncojmë intelektualët klientë të pushtetit, të cilët nga mëngjesi deri në darkë i shërbejnë pushtetarëve të sotëm, njësoj siç i kanë shërbyer atyre të djeshëm. Nuk ka ndonjë zhgënjim të madh te qëndrimet e Edmond Tupes psh. që jo vetëm i bënte lajka pushtetit të burokracisë enveriste, por shkonte deri aty sa kur ia kërkonte byroja, ndante dhe gruan që të ruante biografinë e mire. Asgjë e re, shërbëtoret e djeshëm thjesht po bëjnë të njëjtën gjë, edhe sot. Për këtë arsye është e kotë, fjala bie, të meresh me Elsa Ballaurin, e cila mban rekordin si e vetmja aktiviste e të drejtave të njeriut që, në situatat kur në shesh vriten katër njerëz nga policia, militon për policinë. Ndoshta më shumë analizë do të kërkonte pozicioni i artikuluar i Artan Lames apo i Fatos Lubonjës, nëse edhe këta nuk do ta kishin kaq personal dhe anti-Edvin qëndrimin e vet. Psh. Lubonja pasi boton librin mbi 97, ku tregon se si qendrimi militant pro Berishës i mbajtur dhe prej ambasadores Mariza Lino ishte kontribues në krijimin e situatës kaotike të krijuar në ato vite, del sot dhe mbështet të njëjtin qendrim që kësaj radhe po e mban ambasadori Arvizu!!!
Kontributi i këtyre intelektualëve, edhe kur është kritik ndaj pushtetit, është çertifikues i tij, duke mos krijuar ndonjë situatë kritike në masat konsumuese të kësaj analize. Kësisoj pushteti ka nevojë që edhe intelektualin kritik ta prodhoje vetë, sepse kështu e ka më të parashikueshëm e më të kontrollueshëm, por mbi të gjitha sepse duke qenë analiza jo-mobilizuese, intelektuali shndërrohet në një simbol të individualizmit, që edhe kur është rebel, është në kushte të izoluara.
Këto dinamika kanë sjellë në debatin e sotëm qëndrime skizofrenike, jo vetëm të atyre intelektualëve që jane klientë të pushtetit, apo në listë pritjeje për tu bërë të tillë, por edhe të një mase të gjerë të asaj pjese të popullsisë që beson se ka një mendim kritik. Janë ata që në ambiente publike deklarojnë me të madhe Çfarë populli jemi që harrojmë Gerdecin?, e më pas janë të gatshëm që të diskutojnë programin politik të Mediut. Janë ajo masë njerëzish që telefononin njëri-tjetrin të lemerisur në 21 janar, për të bërë të qartë revoltën e tyre ndaj instalimit të shtetit policor, e sot pa pikë problemi mendojnë që ndoshta nuk do ishte keq tja jepnin votën Lulit, sepse paska folur për gjelbërimin!!!
Mendimi kritik gjithashtu po mungon edhe tek ata që deklarativisht e konsiderojnë veten të majtë (dhe pse personalisht dyshoj shumë mbi çfarë nënkuptojnë sot intelektualët shqiptarë me të qenurit të majtë), të cilët mbushin rreshta gazetash duke u ankuar medemek se si nuk paska një të majtë të vërtetë në Shqipëri. Zakonisht këta të majtë në të gjithë artikujt shkruajnë kundër Ramës, se ah sikur të ishte pak më i majtë Rama sa bukur do ishin gjërat, e sa me qejf do votonim. Por gjëja tjetër interesante është se te kjo masë asnjëherë nuk sheh psh. ndonjë revoltë për sistemin fashist që po instalohet në Shqipëri. Revoltë për faktin që edhe pedagogëve të universitetit po u kërkohet të deklarojnë preferencat politike, e lëre pastaj nëpunësve të shtetit e njerëzve më të pambrojtur. E majta e dobët liberale që është në Shqipëri, ekziston praktikisht në të gjithë vendet e Europës. Por ndryshe nga këtu që medemek të majtët kritikën për të majtën e kanë personale me Ramën, (se unë rrallë shoh shkrime ku kritika të niset nga një perspektive anti-kapitaliste fjala bie), e kjo është një kritike që i shërben sërish pushtetit të Berishës. Unë personalisht jam i majtë. Së pari as ndërmend nuk më shkon të votoj për Berishën, së dyti, mendoj që PS është vetëm një operator në skenën politike shqiptare. Mendoj që detyra e të majtëve është të organizojnë e të shprehin kritikën e tyre, edhe nëse nuk është e majtë Partia Socialiste. Pra edhe nëse kanë kritika, si të majtë, ndaj PS, ato duhen bërë në kushte angazhuese e organizative, jo në kushte post-cinike, depolitizuese, siç e do zakoni i liberalëve. Shpesh herë intelektualët e akuzojnë PS-në si liberale, mirëpo vetë ata me qëndrimet e tyre janë mbajtës të flamurit liberal dhe kritikën e nisin nga kushte liberale.
Gjithë këto grupe të sipërpermendura janë ajo që Gramsci do ti quante intelektualët organikë të pushtetit. Në këtë grup bëjnë pjesë ata që e dinë që po shërbejnë, dhe paguhen për këtë, por dhe ata që me pozicionet e tyre të dobëta, pa e ditur i shërbejnë pushtetit. Ata krijojnë hegjemoninë që i shërben pushtetit, qëndrimet e tyre janë të kudondodhura në mediat shqiptare, ata janë aty, pikërisht për të depolitizuar popullin në shërbim të pushtetit. Për këtë arsye mendoj që militanti politik i cilësdo parti(i cili zakonisht përçmohet nga intelektualët e pushtetit), me pjesëmarrjen e tij politike ka një pozicion më të sinqertë dhe një kontribut më të qartë politik, krahasuar me intelektualin para-elektoral, post-cinike që mbahet zhurmshëm si krijues i mendimit politik në vend.
Marrë nga Saktivista
