E Diel, 1 Nëntor 2026

Intelektualët francezë vlerësojnë arritjet e qeverisë shqiptare në tre vitet e fundit

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim miqësor një përfaqësi të Shoqatës së Realiteteve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të kryesuar nga Presidenti i kësaj shoqate, zoti Jean-Michel Fauve.

Kryeministri Berisha u uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për vizitën e tyre në Shqipëri, duke u nisur edhe nga fakti se në përbërje të kësaj shoqate ka intelektualë të shquar francezë nga fusha e politikës, financës, ekonomisë, arsimit etj, intelektualë të cilët janë miq të Shqipërisë dhe promovues të progresit të saj.

Presidenti i Shoqatës së Realiteteve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, zoti Jean-Michel Fauve falënderoi Kryeministrin për mikpritjen, si dhe e njohu atë me qëllimin e vizitës së tyre në Shqipëri.

Zoti Fauve u shpreh se kjo vizitë do t’i shërbente njohjes së realitetit të suksesshëm shqiptar, pas zhvillimit të madh ekonomik, politik dhe social të vendit, si dhe për promovuar vizionin politik mbi të ardhmen e integrimit në BE dhe në NATO, të lidershipit shqiptar.

Më tej, zoti Fauve u shpreh se Shqipëri në sytë e intelektualëve francezë është një vend me një rol shumë të rëndësishëm, themeltar i Unionit të Mesdheut, vend kyç për stabilitetin dhe integrimin rajonal dhe mbi të gjitha, me një tolerancë të admirueshme historike, kulturore dhe fetarë.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e politikanëve më të shquar francezë dhe të qeverisë dhe popullit francez gjatë gjithë historisë së Shqipërisë, si dhe në çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Më pas, Kryeministri Berisha i njohu intelektualët francezë me episode të rëndësishme të historisë së vendit, për të cilat intelektualët shfaqën interes të madh, si dhe me punën e qeverisë shqiptare në këto vitet e fundit, përmes ndërmarrjes së reformave në të gjitha fushat e zhvillimit.

Intelektualët francezë shprehën vlerësim të lartë për arritjet e qeverisë shqiptare në këto tre vite në transformimin ekonomik të vendit, në rimëkëmbjen e infrastrukturës, në krijimin e një klime të ngrohtë për biznesin e huaj, në shfrytëzimin e potencialeve natyrore dhe humane të vendit etj.

Ata theksuan se do të jenë  ambasadorët më të mirë të promovimit dhe përçimit të progresit dhe potencialeve të Shqipërisë, si në elitën franceze, ashtu edhe në përfaqësitë e biznesit dhe investimeve në Francë.


14/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›