E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Sapo vij nga një konferencë shtypi në të cilën unë informova opinionin për dy probleme madhore. Siç e dini prej javësh ka një zhurmë 24 orë në 24 orë mbi Damir Fazlliç, lidhjet e tij me qeverinë, favoret që i janë bërë atij. Të gjitha këto janë të kuptueshme në kuadrin bazë të lirisë së mendimit, të kundërshtive që sjell pozicioni qeveri-opozitë. Deri këtu është gjithçka normale, e paqortueshme. Mund të vazhdojë tre javë, mund të vazhdojë tre vjet, mund të vazhdojë sa të dojë, kjo është në vullnetin e secilit.

Ka dy gjëra që nuk kanë ndodhur ndonjëherë në këtë vend që nga ditët më të zeza të diktaturës. Njëra prej tyre është se një prokuror kryesor në Prokurorinë e Përgjithshme, zv/prokuror në Prokurorinë e Tiranës që për rastësi siç thonë është tezak i Prokurores së Përgjithshme më datën 8 tetor urdhëroi dy oficerë të lartë policie të ndalojnë dhe shoqërojnë shtetasin e huaj, biznesmenin Damir Fazlliç.

Sipas deklaratave me shkrim të të dy oficerëve të policisë, drejtorit të Policisë së Kufirit për Tiranën dhe komisarit për Tiranën, prokurorët Zamir Shtylla nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Eni Mazreku nga Prokuroria e Tiranës u kërkojnë këtyre dy oficerëve me telefon, pa shkresë të shoqërojnë shtetasin Damir Fazlliç në prokurori. Unë dua t`ju them se policia natyrisht një urdhër të tillë nuk ka marrë përsipër ta zbatojë. Policia nuk mund të zbatojë urdhëra telefonikë, të cilët ligji ia njeh prokurorit jo me policinë, ia njeh gjykatësit jo me policinë, por ia njeh direkt me të interesuarin në të gjitha rastet përveçse kur është nën hetim ose i pandehur. Zotëria ishte nën hetim, ishte shpallur nën hetim një ditë më parë apo atë ditë.

Sikur kjo t`i ndodhte armikut tim më të egër dhe më të betuar në këtë vend do ta ndieja veten 100 herë të turpëruar. I ka ndodhur një njeriu që e njoh dhe kam vlerësim veçse pozitiv për të. Nuk di asgjë për ndonjë keqveprim nga ana e tij. Së dyti po në këtë  çështje prokuroria ka urdhëruar sekuestron, bllokimin në kundërshtim me ligjin sepse aty duhet një gjykatës, të pasurive të Fazlliç në Shqipëri, por kjo është një diçka tjetër, por ka shtri dorën tek njerëz që se kanë takuar ndonjëherë në jetën e tyre këtë person, biznesmenë të suksesshëm në çdo qeveri, novatorë të vërtetë të biznesit shqiptar, dhe e ka bërë këtë për faktin e vetëm se në bordet e këtyre dy kompanive ndodhet si anëtar bordi edhe “krimineli”, Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës.
Erion Isufi nuk ka qenë as edhe një orë të vetme ortak apo bashkëpronar me Damir Fazlliç, ka qenë rrogëtar një vit apo disa muaj në kompaninë e Damir Fazlliç derisa është shkëputur. Meqenëse edhe këtij i janë vënë në bllokim pasuritë, kjo shtrihet tani edhe atje ku “armiku i popullit” Erion Isufi  është anëtar bordi. Këtu janë shkelur në mënyrën më të rëndë dy parime më themelore të këtij vendi dhe të Kushtetutës së këtij vendi, ndaj dhe unë kam vendosur të kërkoj hetim ndërkombëtar, grupit të hetuesve t`u bashkohen hetues ndërkombëtar që ne do u kërkojmë vendeve mike për të zbardhur tërësisht të vërtetat, në mënyrë kategorike për të mbrojtur Fazlliçin sepse të jeni të sigurtë ju se ky person ka zero nevojë për ndihmën time apo ndihmën tuaj. Ai është një qytetar i lirë, i cili do t`i dalë zot vetes së tij pa asnjë lloj nevoje nga askush për këtë ju garantoj. 

Nuk e bëj këtë as për lumin e akuzave të lëshuara drejt meje sepse mbi Fazlliçin kjo është akuza e parë në jetën e tij që bëhet, nuk rëndon asnjë akuzë,  asnjë  çështje, asnjë dënim në tre vende që ai banon, SHBA, Uashington kryesisht, në Londër dhe në Sarajevë. Është e domosdoshme që një hetim ndërkombëtar të thotë që Damir Fazlliç për shkak të njohjes me Sali Berishën që unë e pohoj katërcipërisht, të lidhjeve miqësore me Sali Berishën që unë i pohoj katërcipërisht ka përfituar qoftë dhe një qindarkë të vetme nga fondet publike të kësaj qeverie dhe e faktuar kjo, çdo qytetar shqiptar e ftoj të besojë se unë i kam dhënë miliarda atij. Ka patur integritetin e tij të plotë të mos kërkojë kurrë as edhe një lloj favori.  Kështu që kjo është e domosdoshme se çështja e abuzimit me lobingje është një çështje shumë e rëndësishme. Nuk duhet ta injorojmë. Në qoftë se ky mbështetës gjeti favore për shkak të mbështetjes, atëherë kjo është një gjë që shqiptarët duhet ta dinë.  
Së dyti duhet ta dinë shqiptarët edhe për një gjë tjetër; Damir Fazlliç ka zhvilluar veprimtari private në këtë vend  dhe në këto veprimtari private nëse ka marrë një metër tokë nga sektori publik është e njëjta gjë që thashë për paratë publike.
Së treti një nga krimet e tij është se  ka blerë tokë në Porto Romano, krejtësisht mbi baza private. Le ta bëjmë transparent problemin. Unë trashëgova një kontratë konçesioni nga paraardhësi im Fatos Nano, që i kishte dhënë një grupi të drejtën për të ndërtuar park energjetik, pompim etj. Unë u qëndroj kontratave, kam anulluar vetëm një kontratë që kurrsesi nuk mund ta pranoja sepse ishte me shumë pabarazi, pavarësisht se të pëlqejnë apo s`të pëlqejnë shteti është shtet. Pala tjetër filloi presionet duke pretenduar se ka ekskluzivitet. Për hir të së vërtetës Fatos Nano nuk i kishte dhënë ekskluzivitetin. Unë e kam kategorike ekskluzivitetin. Unë 1/3 e çdo dite e kam me biznesmenë. Një nga frazat e mia standarde absolute është se “unë ekskluzivitet nuk njoh”. U sqaroj atyre që të mos më keqkuptojnë se ne jemi vend i vogël i pazhvilluar, duam të zhvillohemi shpejt sepse ekskluziviteti të mban peng dhe e zgjidhim këtë çështje. Ky zotëri bën përpjekje dhe shantazhe për ekskluzivitet. E lajmëroj që nuk do të marrësh ekskluzivitet. Unë shoh interesin tim dhe interesi im është që të vijnë anije 100 mijë tonëshe , 50 mijë tonëshe, ka kosto  më të ulët. Dhe e pa që ishte një mur që nuk thyhej. Tani duket se për të blerë toka aty ose duhet t`i paguajë gjobën mercenarëve që gjithë ditën i bijnë qemanes për të.

Thashë edhe njëherë nuk ka asgjë këtu për të mbrojtur atë , ai është qytetar i lirë të mbrohet, të mos mbrohet ai është qytetar i lirë, një gjë duhet të bëjë që të respektojë rregullat dhe ligjet e vendit tim. Këtë e them  dhe unë besoj se kësaj do t`i përgjigjet plotësisht, se Shqipëria pavarësisht kësaj është vend i lirë.


Vijmë tek problemi i dytë; pa urdhër çohet një shkresë ku i kërkohet Hipotekës t`i bllokojë pasuritë. U shpërndahet një shkresë 20 agjencive. Deri këtu do e zgjidhë vetë zoti Fazlliç, ky vend ka gjykata, por bllokimi për llogari të mafias të  pasurive të dy firmave të një kompanie që ka mbi 30 milionë euro investime në vazhdim që në mënyrën më absolute nuk i ka një borxh kësaj qeverie, qeverisë së mëparshme apo askujt, është një nga simbolet e suksesit të biznesit shqiptar, një nga partnerët më të besueshëm të biznesit ndërkombëtar dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare, është gjëja më e rëndë, më e papranueshme. Qëndrimi ndaj biznesit duhet të jetë i kujdesshëm. Vetëm se ky vend është i hapur. Ai do të mbrohet vetë, por të kapësh tani një kompani që ka në investim e sipër mbi 30 milionë euro me disa kompani të huaja, pse ka Erion Isufin në bordin e kësaj kompanie kjo pastaj shkel çdo lloj parim në këtë vend.   Me këtë e ke supozuar Shqipërinë jo më të Enver Hoxhës, por një protektorat mafie ku mjerë ai që vjen dhe investon, kështu që hetimi ndërkombëtar për këtë çështje është i domosdoshëm. 
Ne jemi të vendosur, të zotuar të bëjmë çdo përpjekje për pavarësinë e institucioneve dhe unë ju them ju një gjë se do të bëjmë çdo gjë që këto institucione të përmbushin me dinjitet misionin e tyre aq sa na takon ne. Por në mënyrë kategorike kjo pavarësi është e kërcënuar në shkallën më ekstreme nga veprime politike  guerrile dhe unë ua thashë mediave. Dy javë më parë duke ndjekur lajmet shoh në një televizion kombëtar një koment në të cilin thuhej se  akoma nuk ka ardhur ekspertiza e ekspertit amerikan, por edhe në qoftë se eksperti amerikan thotë se është aksident ne nuk do ta marrim për bazë këtë, por ne do të bazohemi tek ekspertët të pavarur që kemi marrë. I them njërit prej drejtuesve që kjo që thua ti në televizor është një gjë shumë e rëndë. Çfarë na doli? Doli që një prokuror kryesor në Prokurorinë e Përgjithshme kishte thirrë gazetaren dhe i kishte thënë do të bësh këtë koment. Cila ishte leverdia e këtij komenti? Ju e gjykoni vetë. Por ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe shumë të vëmendshëm dhe të qëndrojmë me maturitet.

Njëqind herë ta mendosh këtë , ky person përfaqëson të shkuarën më të zezë, por nuk përfaqëson prokurorinë e vërtetë, sepse të gjithë prokurorët e tjerë pa përjashtim dhe të gjithë ekspertët shqiptarë  kanë patur konkluzion identik me Kevin Teter dhe nuk janë lëkundur fare edhe pse kanë marrë dhe kërcënime. E them këtë që do të ishte shumë e gabuar që me gjestin e papërgjegjshëm të një njeriu ne të shumëzonim një institucion. Por problemi është se në rastin konkret janë shkelur dy parime themelore shumë të rënda që duhet të zbardhen arsyet.

Do të ngrihet dhe një komision hetimor parlamentar, i cili absolutisht nuk do të merret me dosjet. Dosja është vetëm atribut i prokurorisë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe parlamenti kurrë në bindjen time më të thellë nuk mund dhe nuk duhet të ndërhyjë në një dosje  që e ka në dorë prokuroria . Ky do të ishte asgjësim i institucionit  dhe kalim i të gjitha pushteteve tek  parlamenti dhe kjo s`do të ndodhë kurrë. Këtu ne nuk lëvizim. Në qoftë se thërrasim ekspertë ndërkombëtarë këta do të sillen të bashkëpunojnë jo për të bërë hetim të pavarur. Hetimi do të bëhet në kuadrin e hetimit që po vazhdon nga prokuroria, por këtë qeveria do të bëjë sepse kjo ka implikime shumë të thella. Pra komisioni parlamentar do të sqarojë disa momente mes prokurorisë , Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ne mbështesim plotësisht hetimin e institucionit të akuzës, ky do të jetë qëndrimi ynë. Nuk ka asnjë lidhje me persona të caktuar. Sali Berishën le të vazhdojnë ta akuzojnë. Nuk ka asnjë lidhje me qëndrimin e opozitës, le të vazhdojnë të thonë gjithçka.

Por të godasësh sot një biznesmen si ai që u godit, që ka vajtur në mëngjes për të bërë lëvizjen e investimeve dhe i ka gjetur llogaritë e tij të bllokuara kjo është një gjë e paimagjinueshme që mund të ndodhë përsa i përket bazës ligjore, e dyta urdhërat me telefon  për ndalim dhe shoqërim personash përveç flagrancës kanë perënduar njëherë e përgjithmonë në këtë vend. Ky është një vend i lirë.  Ndaj ne duhet ta ndjekim çështjen teknikisht dhe vendosmërisht.                                  
                         
               


13/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›