Intensifikohen përpjekjet për të gjetur armët e paligjshme

Kosova kohët e fundit u bë një nga 37 vendet në botë dhe i vetmi në Ballkan, që hyn në një partneritet botëror në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të armëve dhe terrorizmit.
Qeveria do të ketë përdorimin falas të e Trace, një sistem i mbështetur në internet që përdoret për të gjurmuar armë zjarri të paligjshme. Aplikacioni lejon analiza të të dhënave të gjurmimit të armëve të zjarrit që mund të ndihmojnë në identifikimin e modeleve të trafikimit dhe profilin gjeografik për vendet e posatçme kriminale dhe burimet e mundshme të armëve të zjarrit të paligjshme.
Mentor Vrajolli, analist në Qendrën për Studime të Sigurisë të Kosovës, tha se programi "mund të ndihmojë institucionet e shtetit të së drejtës të Kosovës të marrin një rol më të shquar në luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar në nivel rajonal," pasi kontrabanda është një problem rajonal dhe Kosova do të bëhet i vetmi vend në Ballkan me një marrëveshje të tillë.
Kosova po punon nëpërmjet disa proceseve vendimtare të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përfshirë përpjekjet për të përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave dhe bisedimet në vazhdim me Serbinë.
Vrajolli tha se Kosova duhet të bëjë përparim të qëndrueshëm me qëllim që t'i bashkohet procesit të integrimit evropian dhe shtoi se sasia e armëve të paligjshme të zjarrit që besohet të jetë në vend mund të dëmtojë aspiratat evropiane të vendit.
Një raport më 2012 nga Forumi për Sigurinë i Kosovës, tha se 17,142 armë u konfiskuan në Kosovë midis 2000-tës e 2011-tës. Sipas raportit të Programit të Zhvillimit të OKB-së për 2011-tën, ka më shumë se 330,000 armë të paligjshme në Kosovë.
"Forcimi i shtetit të së drejtës në Kosovë i atribuohet ngushtimit të rrënjëve të krimit të organizuar në rajon që bën më të lehtë për institucionet e shtetit të së drejtës nga vende të tjera që të gjurmojnë këto dukuri, " shtoi Vrajolli.
Forca e policisë e Kosovës tha për SETimesse marrëveshja do të ndihmojë të bëhet vendi më i sigurtë.
"Ky memorandum me siguri do të ndihmojë policinë e Kosovës të rritë aftësitë e saj në gjetjen e armëve të paligjshme dhe luftimin e krimit të organizuar," tha policia në një deklaratë të shkruar. ":Ai do të rrisë sigurinë e shtetasve të Kosovës dhe do të ndihmojë në rritjen e sigurisë rajonale."
Si pjesë e marrëveshjes, Kosova dhe 35 vende të tjera do të punojnë së bashku në bashkëpunim me Agjencinë e SHBA-së për Alkoolin, Duhanin dhe Armët e Zjarrit, një seksion i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së që lufton krimin e dhunshëm.
Taulant Hodaj, president i Grupit të Nismës Alpbach Kosova, një anëtar i shoqëruar i Forumit Evropian Alpbach, tha për SETimesse marrëveshja ka një ndikim pozitiv mbi Kosovën si një shtet.
"Kjo marrëveshje i shërben Kosovës për të përdorur programe të ndryshme që kanë për qëllim të luftojnë transportin e armëve të paligjshme," tha Hodaj.
Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi tha se marrëveshja do të rrisë sigurinë trajonale dhe "është veçanërisht e rëndësishme në luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit."
Shtetasit e Kosovës e përshëndetën lajmin, duke thënë se armët e paligjshme përbëjnë një rrezik të dukshëm.
Rron Dema, një student në Prishtinë, tha se disa incidente të fundit ku ishin përdorur armët kanë shkaktuar shqetësim.
"Dëshiroj që marrëveshja të bëjë të mundur gjetjen dhe zbulimin e të gjitha armëve të paligjshme sepse kjo do t'a bëjë shoqërinë tonë më të sigurtë," tha Dema.
Ajshe Kelmendi, që punon në një dyqan në rrethinat e Prishtinës, Fushë Kosovë, tha se numri i armëve të paligjshme në duart e shtetasve duket më mirë nga numri i incidenteve gjatë verës dhe në dasmat ku mjaft njerëz plagosen nga zjarri festiv i pakontrolluar i armëve.
"Shpresoj që qeveria dhe veçanërisht policia e Kosovës do t'a marrë konfiskimin e armëve të paligjshme shumë seriozisht e dëshiroj që ky sistem i ri të jetë i suksesshëm," tha Kelmendi.
Çfarë nismash të tjera do të ndihmojnë të pakësohen armët e paligjshme në rajon? Na thoni mendimet tuaja në pjesën e komenteve. /Indeksonline/