E Diel, 1 Nëntor 2026

Inter-Barça, sfida e yjeve, ëndrrave dhe "fantazmave"

Interi dhe Barcelona luajnë sot supersfidën e parë në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. Një ndeshje e madhe, ku dueli më interesant është padyshim ai ndërmjet Eto‘o dhe Ibrahimoviç. Nga kjo përballje do të dalin edhe përgjigjet e para rreth ambicieve dhe shpresave të skuadrës së drejtuar nga Zhoze Murinjo. Në stadiumin "Meaca" janë shitur të gjitha biletat për debutimin e zikaltërve. Rruga drejt trofeut më prestigjioz për klube, e mbushur me ëndrra dhe frikë, fillon nga pengesa më e vështirë: kundër Interit nuk do të luajnë vetëm kampionët në fuqi të Europës dhe ndoshta ekipi më i mirë në botë, por edhe futbollisti që udhëhoqi klubin drejt fitoreve në Serinë A. Edhe pse mund të jetë ende shpejt, kjo mesjavë mund të japë përgjigjet e para për pikëpyetjet e shumta që shoqëruan këtë fillim sezoni të të besuarve të Murinjos: A do të jetë Interi një skuadër fituese edhe pa Ibrahimoviç? Është ky viti i duhur për t‘u kthyer te sukseset në arenën ndërkombëtare? Në shkëmbimin Ibra-Eto‘o ka përfituar më shumë Barça apo Interi? Vëmendja e të gjithëve do të jetë e përqendruar te dy lojtarë që kërkojnë të fitojnë përballë së kaluarës. Nuk kishin si të mungonin deklaratat e tyre në prag të ndeshjes. Ibrahimoviç ka thënë: "Tifozët e vërtetë e dinë se përpara mbërritjes sime skuadra nuk fitonte prej 17 vitesh. Qëndrova aty vetëm tri vjet dhe fitova po kaq tituj". Fjalë të cilat nuk janë interpretuar aspak mirë nga ish-shokët e skuadrës. Gjithsesi, suedezi e riparoi "gabimin" me pohimin: "Ndërmjet Interit dhe Juventusit me siguri që më shumë kam përzemër zikaltërit". Ndërkohë, drejtuesit e klubit dhe lojtarët u kanë kërkuar tifozëve interistë të tregohen indiferentë ndaj Ibrës. "Mos e fërshëlleni dhe mos e duartrokisni", ishte direktiva për "ultrasit". Pavarësisht kësaj, duket se mes 70 mijë të pranishmëve në takim do të shpërndahen tremijë bilbila për t‘i "uruar mirëseardhjen" sulmuesit. Samuel Eto‘o është shfaqur më i qetë në deklaratat për të kaluarën e tij. "Guardiola thotë se mes nesh nuk kishte afrimitet? Kaluam një vit të mirë dhe të gjithë së bashku punuam në shërbim të Barcelonës. Nuk kam pasur asnjëherë probleme, edhe pse vazhdoj të mos e kuptoj se çfarë është ky afrimiteti… Gjithsesi, ëndërroj një finale Inter-Barça në ‘Bernabeu‘".

Nuk mund të mungojë edhe sfida ndërmjet dy trajnerëve: në njërin stol qëndron ai që mendon se është më i miri në botë, ndërsa në tjetrin ai që gjatë sezonit të kaluar konfirmoi se është numri 1. Por, Murinjo mbetet një prej "ish"-ëve të mëdhenj për disa arsye: tekniku portugez u krijua në "Kamp Nou", kur në fillim të viteve ‘90, punoi si përkthyes i Sër Bobi Robson. Një vit më pas, kur në krye të stolit erdhi Luis Van Gal, Murinjo u "gradua" trajner i skuadrës së rezervave të Barcelonës. Një tjetër episod ka ndodhur gjatë sezonit 2007-2008, kur "blaugranat" kërkonin zëvendësuesin e Frenk Rajkard. Drejtuesit e klubit spanjoll u takuan me Murinjon (i papunë në atë periudhë) dhe menaxherin e tij, duke i dorëzuar një plan me tetë pika që luzitani duhej ta zbatonte kur të merrte drejtimin e ekipit. Por, "Speciali" nuk pranoi pikën 6, e cila i impononte sjellje të mirë me mediat dhe respekt për të gjithë kundërshtarët dhe Barça filloi të shqyrtonte alternativa të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›