E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interesim i madh për regjistrim në UPZ

Në vetëm tri ditë qëkur është hapur konkursi në Universitetin e Prizrenit, më shumë se 1200 veta kanë konkurruar për të marrë indeksin e këtij universitet të ri publik.

Interesimi më i madh është për degët Administratë Biznesi, Menaxhment Ndërkombëtar dhe Juridik. Por interesim ka edhe për Gjuhë Gjermane dhe dy programe të Teknologjisë Informative, kanë bërë të ditur për KosovaPress, zyrtarë të UPZ-së.

Konkursi për pranimin e aplikacioneve në Universitetin e Prizrenit është hapur më 19 korrik dhe do të mbyllet më 23 korrik.

Sekretari i UPZ-së, Adem Sallauka, ka thënë se janë të kënaqur me numrin e të interesuarve për të qenë studentë të gjeneratës së parë të këtij universiteti. Ai pret që ky numër të rritet deri në fund të javës.

“Kemi pas fluks të jashtëzakonshëm të aplikantëve. Numri ka kaluar mbi 1200 aplikantë...Organizimi është mjaft i mirë, procedurat janë ashtu siç janë paraparë dhe ne jemi shumë të kënaqur me një numër kaq të madh të aplikantëve që dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Prizrenit”, ka thënë Sallauka.

Agjencia e Akreditimit të Kosovës nuk ka qenë duar shtrënguar sa i përket Universitetit të Prizrenit, duke i dhënë leje që të fillojë me 13 drejtime.

Por UPZ, sivjet ka hapur konkurs vetëm për 6 programe, për shkak se për këto janë përgatitur.

“Për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm, sidomos në disa programe, ne do të kërkojmë nga Ministria e Arsimit që për këto programe të shtojmë numrin. Numri tani për tani është i paraparë që për 6 programe nga 100 studentë të regjistrohen”, ka thënë Sallauka.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›