Interesim i madh për talentët kosovarë

Zvicra njihet si ‘foleja’ e futbollistëve kosovarë. Ata po shkëlqejnë në vitet e fundit me skuadrat respektive, kështu që interesimi i skuadrave evropiane për ta, nuk mungon.
Më i kërkuari pa dyshim është Xherdan Shaqiri. Mesfushori i Baselit pëlqehet pothuajse nga gjysma e Evropës. 20 vjeçari mund ta vazhdojë karrierën në Angli, Gjermani ose Itali. I vetmi dyshim është se kur do ta bëjë një gjë të tillë, në janar apo qershor.
Edhe shoku i tij i skuadrës, Granit Xhaka po kërkohet nga shumë skuadra evropiane, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme të këtij viti me Baselin dhe me përfaqësuesen e Zvicrës.
Tabloidi zviceran Blick nuk ndalet me kaq. Ai përmend edhe shumë futbollistë të tjerë të AXPO Super League që kërkohen nga klube të ndryshme, prej tyre edhe futbollistët e Zurichut.
Sipas këtij tabloidi, futbollisti shqiptar Admir Mehmedi mund ta marrë rrugën drejt Anglisë, ku e pëlqen Sunderlandi, ndërsa bashkëlojtari i tij, Adrian Nikçi pëlqehet nga Augsburgu. Zurichu frikësohet se mund t’i humb këta dy yje qysh në janar.
Sido që të jetë, duhet të pritet 31 janari, kur edhe përfundon afati kalimtar, për ta kuptuar nëse ndonjëri nga futbollistët kosovarë do ta ndërrojë mjedisin në dimër. Një gjë është e sigurt: kërkesat dhe interesimi i klubeve të ndryshme nuk mungojnë.