E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi bekohet nga Papa, festa e titullit gati



Festa vetëm u shty për shtatë ditë. Jo më shumë. Kjo është atmosera që mbizotëron në shtëpinë e Interit. Dhe këtë të parët e ndiejnë tifozët, të cilët kanë prerë të gjitha biletat e ndeshjes të së dielës kundër Sienës. Koreografia është magjepse. Edhe lojtarët e stafi zikaltër e ndjejnë aromën e titullit. Është shumë pranë. Askush nuk dyshon se në dy ndeshjet e mbetura, ato kundër Sienës dhe Parmës në transfertë.
1 MILION EURO -Në shtëpinë zikaltër janë të bindur se në fanellë do të shtohet një tjetër yll. Këtë e kërkon padroni i Interit, Masimo Morati. Humbja me Milani vetëm sa e spostoi pak kohën e festës. Premiot në rast të fitimit të titullit janë të majme: 1 milionë euro për trajnerin Roberto Mançini. Shifra është pjesë e marrëveshjes së teknikut me klubin në fillim të sezonit. Në xhepat e lojtarëve do të shkojnë nga 350 mijë euro. Roberto Mançini, i cili ka fituar dhjetë kupa të Italisë (gjashtë si lojtar dhe katër si trajner) ka një rol të dorës së parë në titullin e tretë rresht me Interin.
PAPA - Sot në mëngjes zikaltërit do të bëjnë një vizitë të veçantë. Do të priten në Selinë e Shenjtë në një audiencë krejt të veçantë nga Papa Ratzinger. E meritojnë. Vizita e rëndësishme do të realizohet pak orë përpara ndeshjes së kthimit gjysmëfinale me Lacion. Vizita ishte e programuar prej kohësh, por u konfirmua zyrtarisht vetëm dje. Duket se Papa do të jetë një ogur i mirë për zikaltërit, të cilëve u mjafton vetëm një fitore në dy ndeshjet e fundit të kampionatit për t’u shpallur kampion.
KINA – Derbi midis Interit dhe Milanit vazhdon në Kinë, vend ku dy klubet janë shumë popullorë. Interi së fundi ka përkthyer në gjuhën kineze almanakun voluminoz prej 600 faqesh të historisë së tij 100 vjeçar. Emocione të mëdha. Vendi më i populluar i planetit ka mundësinë të blejë produktet me logon zikaltër në dyqanin “Interstore” në Shangai, por së shpejti edhe në Pekin. Edhe faqja në internet e Interit është përkthyer veç të gjuhëve të tjera edhe në gjuhën kineze.

“Armiku” Moxhi, tifo për Romën

Armiku i përjetshëm i Interit, nuk mund të jetë askush tjetër përveç Luçiano Moxhit. “Tre pikët e avantazhit që Interi ka ndaj Romës i përngjajnë një padrejtësie dhe nuk i korrespondojnë vlerave në fushë”, - tha ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit për faqen katolike papaneës.it. “Roma është fituesja morale e kampionatit”.

Roma beson, sponsorët gati 2 milionë euro

Roma beson. Janë edhe 180 minuta në lojë. Beson te mrekullia dhe te profesionalizmi i lojtarëve të Sienës, kundërshtares së radhës së Interit. Sponsorët kanë gati një premio prej 2 milionë eurosh në rast se verdhekuqtë fitojnë titullin. Trajneri i Romës, Luçiano Spaleti, megjithatë dëshiron të jetë realist. “Tani janë vetëm dy ndeshje, shumë pak për të rikuperuar katër pikë ndaj Interit”, tha ai. “Kemi nevojë ta besojmë dhe do ta bëjmë deri në fund përderisa matematika na lejon të jemi në garë. Nëse ka akoma një mundësi, duhet ta shfrytëzojmë deri në fund”, - thotë Bruno Konti.

Rosi: “Ndeshja me Interin, porta për Kupën UEFA”

Lacio pas rezultatit 0-0 të ndeshjes së parë në “Meazza” kërkon finalen e Kupës së Italisë edhe pse e di se ka të bëjë me kampionen e Serisë A, Interin. Trajneri Delio Rosi bëri publike listën e tij, ku midis tyre figurojnë edhe shqiptari Igli Tare e kosovari Valon Behrami. “Është një impenjim i rëndisishëm për gjetur portën e Europës, kualifikueset e Kupës UEFA”, - tha trajneri Delio Rosi. “Do të gjendemi përballë një Interi, që do të hedhë në fushë skuadrën më të mirë të mundshme, një skuadër kampionësh”, - theksoi tekniku laciak në konferencën për shtyp. “Për ta kaluar duhet të bëjmë një ndeshje përfekte në të gjitha repartet. Lacio për të luajtur mirë dhe fituar nuk duhet të lejojë një lojë taktike, ashtu si mund të luajë Interi, për shkak të eksperiencës dhe lojtarëve kampionë që janë në gjendje të vendosin edhe fatin e ndeshjes”. Sipas trajnerit bardhekaltër, Interi mund të marrë rezultatin maksimal me minimumin e sforcimit. “Lacio duhet të luajë në ritëm të lartë gjatë gjithë ndeshjes”. Delio Rosi është i bindur për një gjë. “Nuk besoj se ndeshja do të mbyllet sërish 0-0, me kohë shtese dhe gjuajtje penalltish”.

Kigan: “Brenda Premiership ka dy kampionate”

Edhe pse të gjithë e shohin kampionatin anglez si më argëtuesin në botë, për trajnerin e Njukasëllit, Kevin Kigan, Premieship është i mërzitshëm. Ish-trajneri i Kombëtares angleze pohon se predominimi i Çelsit, Mançester Junaitid, Arsenalit dhe Liverpulit është shumë i dukshëm. “Në Angli janë dy kampionate, një për katër skuadrat e para, dhe një për të tjerat”, - tha Kigan. “Me 3-4 lojtarë mund të provojmë të fitojmë kampionatin e dytë. Nuk dua të mërzis askënd, por katër skuadrat e para janë të paarritshme”.

Shpiket roboti-portier, Gomezh vuan për gol

Quhet “Goalias” dhe është portieri i parë robot në botë. Para tij janë ndalur edhe disa nga kampionët e Bundesligës gjermane. I realizuar nga Insituti i Automatizimit të Universitetit të Shtutgardit, “Goalias” u testua nga qendërsulmuesi i njohur, Mario Gomezh, i cili u lodh jo pak për të futur topin në rrjetë. Roboti, i veshur si portier, është i pajisur me tre videokamera që llogarisin trajektoren e topit. Atij i nevojiten 4 të dhjetat e sekondës për të vendosur për pozicionin më të mirë për të pritur topin.

Henri: “Nuk largohem nga Barça”

Pas zërave për një largim të mundshëm në fund të sezonit, Henri deklaroi se do të qëndrojë te Barcelona. “Nuk dua të shkoj”. Kjo është deklarata e sulmuesit të kombëtares franceze për gazetën “Le Parisien”. “Më kanë mbetur edhe tre vite kontratë dhe do të vazhdoj këtu edhe vitin e ardhshëm”. Henri nuk bëri një sezon të mirë me Barcelonën, duke zhgënjyer në “Kamp Nou”.

7 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›