Meta: “Referendumin nuk e ndal askush. PS-ja kundër”
Partia Socialiste konfirmon edhe një herë qëndrimin e saj kundër referendumit për mbrojtjen e Kushtetutës. Pasi nuk mbështeti iniciativën parlamentare të LSI-së për mbledhjen e firmave të deputetëve, socialistët dalin kundër idesë së referendumit, duke e cilësuar atë të pamundur për t’u zhvilluar edhe në rast të mbledhjes së 50 mijë firmave nga LSI-ja. Deputeti i PS-së, Arben Isaraj, deklaroi dje se zhvillimi i referendumit është i pamundur. “Kujtojmë se në këtë rast duhet zbatuar në mënyrë rigoroze Kushtetuta dhe sidomos neni 177, pika 5, ku flet në lidhje me sjelljen kushtetuese për rishikimin e amendamenteve. Pra kjo pikë dhe jo kreu për referendumet, pika 5, kërkon që amendamenti i miratuar t’i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon 15 e deputetëve”, - tha Isaraj. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se priste ndonjë kundërshtim për referendum nga PD-ja dhe se ishte i habitur që një deklaratë e tillë vinte nga Partia Socialiste. Por Meta tha se askush nuk do të arrinte të mohonte të drejtën e popullit për t’u shprehur për Kushtetutën dhe fatet e demokracisë.
“Habitem se si Partia Socialiste bën avokatin e mosmbajtjes së referendumit, kur ajo ka qenë për bërjen e Kushtetutës me referendum dhe kjo ka qenë merita më e madhe. Dhe nuk e kuptoj pse i shqetëson kaq shumë çështja teknike se si mund të mbahet e të mos mbahet referendumi kur ata i kanë pasur të gjitha mundësitë, sikurse ju e dini dhe unë e kam ftuar vazhdimisht, edhe zotin Rama, edhe deputetët, që të vinin dhe të kontribuonin për plotësimin e 28 firmave si mundësia më e shpejtë për mbajtjen e referendumit. Por, ata duhet të jenë të sigurt që -vullnetin e shqiptarëve për t’u shprehur me referendum, për të mbrojtur republikën e tyre, për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e tyre, për të mbrojtur ndarjen dhe balancimin e pushteteve, për t’u mbrojtur të gjithë, por në veçanti ata që janë opozitarë dhe të majtë, nga tirania e Berishës, që është krijuar për fat të keq me votat e deputetëve socialistë, duke i dhënë atij të gjitha pushtetet në dorë me ndryshimet që kanë ndodhur në Kushtetutë, nuk e ndal dot askush”, - tha Meta.
8 Maj 2008