E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi justifikohet me arbitrin

“Dua të flas vetëm për penalltinë kundër që na u akordua. Ishte inekzistente. Kemi 21 ndeshje që nuk na jepet një 11-metërsh në favor dhe nga ana tjetër kundërshtarëve i jepet një penallti që nuk është. Nuk besoj se janë gabime të bëra pa të keq.”

Këto janë fjalët e presidentit të Interit, Massimo Moratti, pas humbjes 3-4 të skuadrës së tij ndaj Atalantës në San Siro. Padroni zikaltër i referohet 11-metërshit që arbitri Gervasoni akordoi për Atalantën kur rezultati ishte 3-1 për Interin. Sipas tij, kjo ishte arsyeja e përmbysjes së rezultatit. “Një penallti e tillë ndryshon ndeshjen sepse lojtarët ndihen të pavlerësuar”, shton Moratti. I të njëjtit mendim edhe trajneri Stramaccioni, i cili mendon se ky episod përcaktoi takimin. “Arbitri mori përsipër një përgjegjësi të madhe. Vetë lojtarët e Atalantës po kërkonin goditje këndi, jo 11-metërsh”, tha Stramaccioni, i cili në fund pranoi edhe gabimet e tij dhe të lojtarëve në fushë, të cilët pësuan edhe dy gola të tjerë (jo për faj të arbitrit) duke humbur takimin ndaj një skuadre modeste.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›