Interi me buxhet faraonësh, 160 milionë euro për merkato
Interi do të ketë një buxhet “faraonësh” për të shpenzuar gjatë kësaj vere, një shumë që arrin në total 160 milionë euro. Të gjitha paratë do të shpenzohen për të sjellë një numër të madh yjesh, duke përfshirë këtu edhe blerjen e Havier Maskeranos nga Liverpuli. Transferimet e Mario Balotelit te Mançester Sitit dhe ajo e Maikonit të Reali i Madridit parashikohen të gjenerojnë 60 milionë euro, dhe duke iu shtuar këtyre edhe 72 milionë eurot nga sezoni fitues i Ligës së Kampioneve, 12 milionë euro për pjesëmarrje në Superkupën e Europës dhe Botërorin e klubeve, si dhe 10 milionë euro si kompensim i lejimit të Hoze Murinjos te Realit, plus bonuseve që do të vijnë nga Maikoni dhe Baloteli, atëherë buxheti i Interit shkon afërsisht në 160 milionë euro. Shumë nga këto para do të shpenzohen për të nënshkruar me lojtarët të klasit të lartë. “Corriere dello Sport” shkruan se argjentinasi është shumë i lidhur me trajnerin Rafael Benitez, dhe kapiteni i Argjentinës ka deklaruar më shumë se një herë se Interi është ekipi që ai synon. Vlera e Maskeranos mund të jetë rreth 30 milionë euro, por Morati është i bindur se mund të ketë një ulje nga kjo shifër, pasi ai shpreson se Sulej Muntari mund të përfshihet në tratativë. Kajt është gjithashtu në radarin e Interit.
MAIKON
Mediat italiane dhe ato spanjolle e konsideruan një fakt të kryer kalimin e brazilianit të Interit, Maikon te Reali i Madridit. Sipas raportimeve, transferimi i Maikonit drejt “Shtëpisë së bardhë” kap shifrën e 28 milionë eurove, plus bonuseve që do të vijnë nga performanca e lojtarit dhe fitimit të titujve të Realit. Për momentin, të vetmet gjëra ende të pazgjidhura janë pagesa e lojtarit. Maikon kërkon 7 milionë euro në sezon, ndërkohë që presidenti madrilen, Florentino Perez, i ofron 5.5 milionë euro. Sipas gazetave italiane akordi Maikon-Real do të arrihet brenda 48 orëve të ardhshme.
AGUERO
Sulmuesi uruguaian, Diego Forlan, lojtari më i mirë i Botërorit 2010, nuk është i vetmi që është i lidhur me një kalim te Interi, por edhe Serxhio Aguero, po i Atletikos së Madridit, është në fokusin e kampionëve të Italisë. Pas largimit të Mario Balotelit dhe Maikonit, ndërkombëtari argjentinas - Aguero vlerësohet 35 milionë euro – mund të plotësojë sulmin e kampionëëve në fuqi të Europës. Gazeta italiane “Tuttosport” zbuloi se ka një propozim për blerjen e dhëndërit të talentuar të Diego Maradonës nga Interi dhe se Aguerro mund të jetë një zëvendësim i dobishëm i Mario Balotelit. Ajo që e komplikon pak çështjen midis Forlanit dhe Agueros, ka të bëjë me faktin se Forlan e ka tashmë nënshtetësinë spanjolle, ndërkohë që Aguero nuk e ka. Interi mund të presë derisa t’i jepet nënshtetësia 22-vjeçarit, por për Aguerone është në sulm edhe Çelsi. Aguero, nga ana e tij, deklaroi se e intrigon një kalim në Londër. “Çelsi është një nga interesimet e mia dhe është një nga ekipet më të fuqishme në futbollin europian”, - tha “El Kun” për “Daily Star”. Nëse Aguero do të kalojë te Interi, ai mund të luajë kundër Atletikos në Superkupën e Europës.
Barcelona
Llogaritë e nxjerrin “lakuriq”
Për herë të parë qysh prej shtatë vjetësh, llogaritë e Barcelonës (sezoni 2009-2010) janë negative, në lartësinë e 77.1 milionë eurove. Lajmin e bëri të ditur klubi blaugranas përmes një komunikate. “Borxhi është më i rëndësishmi në historinë e klubit, me 442 milionë euro”, - nënvizoi Zhavier Fasu, zëvendëspresidenti i Barcelonës. “Ka një problem struktural: shkëlqimi sportiv në vitet nuk është përkthyer në një shkëlqim ekonomik”, - nënvizoi ai.
Transferimi
Xhovinko drejt Parmës
Sebastian Xhovinko duket se do ta lërë Juventusin. Mesfushori ofensiv italian, në fakt, nuk e ka të siguruar vendin te “Zonja e vjetër” dhe është pranë largimit nga bardhezinjtë. Drejtuesit e Juventusit, klubit me më shumë trofe në Itali, kanë arritur një marrëveshje me Parmën, duke e pasur në bashkëpronësi në vlerën e 3.5 milionë eurove, për ta veshur atë verdheblu. Para disa ditësh ishte Bari që kishte shprehur interesimin për lojtarin e Kombëtares italiane.
Arisi kundër shqiptarëve, largon edhe Frashërin
Pas mbrojtësit Kristi Vangjeli, një tjetër lojtar shqiptar nuk është më në planet e Arisit të Selanikut për sezonin e ri me të “verdhët” e Greqisë. Portieri 20-vjeçar, Stiv Frashëri ( i rritur te Skënderbeu), zgjidhi në mirëkuptim të plotë kontratën me Arisin. Lajmi u dha përmes një komunikate të klubit grek, që thekson se “Frashëri, i cili është në ekip nga sezoni 2008-2009. nuk ka qenë i aftë të tregojë se vlen për klubin”. Me një gjuhë diplomatike, drejtuesit e Arisit e falënderojnë për atë që ka bërë për ekipin deri tani dhe i urojnë lojtarit suksese në karrierën e tij. Gjithsesi, faqja greke Contra.gr, thekson se pavarësisht se portieri i ri i kishte bërë një përshtypje të mirë trajnerit argjentinas të Arisit, Hektor Kuper, ai nuk do te jetë pjesë e “roster”-it të skuadrës selanikase. Frashëri është lojtari i Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Ndërsa e ardhmja e Vangjelit dhe Frashërit është e paqartë, Jahmir Hyka mund të transferohet te Panionos në Greqi. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha, është duke ndërmjetësuar kalimin e mesfushorit të Mainz 05 (Bundesliga 1 gjermane). Fantazisti Hyka, i transferuar në verën e vitit 2008 te skuadra gjermane, atëherë në Bundeligën 2, nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Krisitan Heidel. Pak ditë më parë te Panionos u testua ish-mbrojtësi i Besës, Renato Arapi, por nuk arriti të nënshkruajë kontratë me klubin grek, ndërkohë që tani është pjesë e Shkumbinit. Te Panionos më parë kanë luajtur Sulejman Demollari (1994-1996), Foto Strakosha (1997-1999), Arjan Bellaj (2002-2003) dhe Hamdi Salihi (2004-2005). Aktualisht në grupin e lojtarëve luan sulmuesi i Kombëtares U-21, Vasil Shkurtaj (18 vjeç). Jahmir Hyka është një emër i njohur në futbollin grek, pasi 22 vjeçari ka qenë pjesë e ekipit të dytë të Olimpiakosit në sezonin 2007-2008, përpara se të huazohej te Tirana e të kalonte përfundimisht te Mainz 05. Hyka, një nga talentet më të mëdha të 20 viteve të fundit, ka dhe një eksperiencë në Norvegji te Rozenborg, ndërkohë që Jahmiri është një lojtar i grumbulluar rregullisht në Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi Andi Lila mund të luajë sezonin e ardhshëm në Kroaci te Hajduku i Splitit. Kavajasi 24-vjeçar, i cili aktualisht luan te Tirana, ka një të kaluar në Greqi te Iraklisi në Greqi (janar-qershor 2007). Hajduku, klubi kroat i dytë më i rëndësishëm, drejtohet nga Stanko Poklepoviç, ky i fundit kishte dërguar disa vëzhgues në ndeshje e Ligës së Europës, Tirana-Utreht (1-1), takim ku golin për bardheblutë e shënoi Andi Lila.
Talenti
Bolton blen 19-vjeçarin e Realit
Boltoni bëri një goditje të bukur në merkato duke nënshkruar me futbollistin e Realit të Madridit, Markos Alonso. Anësori i majtë 19-vjeçar kishte luajtur vetëm një minutë lojë gjatë sezonit të kaluar të Primera Divizion me Realin. ‘Kur ne investojmë para për transferimet, unë dëshiroj ta bëj gjithmonë për lojtarët e rinj dhe të talentuar”, - tha Ouen Kojl, trajneri i Bolton Uonderes në faqen zyrtare të klubit anglez. Shuma e transferimit nuk u bë e ditur, ndërkohë që Markos Alonso nënshkroi për tre vjet.
Euro U-19
Një tjetër finale për Spanjën
Pas fitimit të titullit kampion bote në Afrikën e Jugut me ekipin e parë, një tjetër përfaqësuese spanjolle është në finalen e një kompeticioni të madh ndërkombëtar. Kombëtarja U-19 e Spanjës mposhti 3-1 Anglinë në gjysmëfinale e Kampionatit Europian të kësaj moshe. Pacheco (12’), Keko (34’) dhe Kanales (56’) ishin dhe autorët e golave për Spanjën, të cilët synojnë titullin e pestë në këtë kategori, çka do të ishte një tjetër triumf për Spanjën në vitin 2010 pas Kazijasit me shokë në Kampionatin Botëror.
28 Korrik 2010