E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gegnishtja- mallkimi dhe lavdia e Camajt



Behar GJOKA

Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten - thotë Martin Camaj, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit. Camaj, e pa letraren si një proces të hapur:
- Që përfshin njohjen e letërsisë së përbotshme dhe shqipe.
- Që ngërthen eksperimentin letrar dhe gjuhësor.
- Që mbetet vetëmse një akt shkrimor autorial.
Gegnishtja, për shkrimtarin modern, u shndërrua në mision kombëtar, për të shpëtue mazën e parëlindun të shkrimit të gjuhës dhe të letrares, në vatër të ekzistencës së autorit, madje në pishtar ndriçues për të mos e vdarë udhën në shtërngicat e mugullimës diktatoriale. Pohimi i Camajt, se gegnishtja ishte qëllim i jetës dhe artit, ngjan me një thirrje ekzistenciale, që sjell pranë ligjërimin, letrar dhe gjuhësor, madje që zbulon vetëdijen me mos e pre shtegtimin e gegnishtes, dëshmuar në pesë shekuj. Këtë rrethanë, të sipërmarrjes shpirtërore dhe jetike, e sqaron J. Lankshi, kur shkruan: Camaj e përdori gegnishten në bazë të nji vendimi dhe vullneti të kjartë e të vetëdijshëm – me luftue për gegnishten. Pra, gegnishtja, si fakt dhe ligjërim gjuhësor dhe letrar, nga Camaj, është përjetuar si aspiratë dhe ideal, si frymë dhe kumt në mbrotje të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Merita e marrëdhënies së Camajt me gegnishten dhe gjuhën shqipe, lidhet me faktin se e projektoi në dy akse:
Së pari: Me tekstin Gramatika e Shqipes, një punë shkencore e studimit të gjuhës, një metodikë e gjithë varianteve (i njësuar, gegnisht, arbërisht dhe toskërisht), ku është përfshirë ligjërimi i shqipes, pavarësisht kohës dhe hapësirës, po kaq me studimin e Mesharit të Buzukut, si dhe me tekste të tjera për gjuhën dhe aspektet të ndryshme të arbërsihtes, hodhi themelet e shqyrtimit shkencor të gjuhës shqipe. Në këtë vazhdë, madje si shenjë e përveçme, është hapja e degës së albanologjisë në Mynih, që çeli një dritare komunikmi të gjuhës shqipe me kulturën perëndimore.
Së dyti: Shkrimtaria, e gjurmëve të eksperimentit, e shprehësisë moderne, që arrin kulme me tekstet Nema, Buelli dhe Palimpsest, në poezi, që vjen si zbulim me sinkretikën letrare, me Djella dhe Dranja, kryeveprën e Camajt, pa lanë jashtë vëmendjes romanet Karpa dhe Rrathët, si dhe dramatikën e teksteve Lojë mbasdreke dhe Kandilja e agjandit, të cilat shënojnë një kurorë letrare të autorit, por edhe në letërsinë shqipe bashkëkohore.
Lëvrimi i gegnishtes, si shkrim shkencor dhe letrar, ndodhi në vetmi dhe larg atdheut, larg gjasave për ta ndikuar atmosferën letrare, bart shenjtërinë e një testamentit me shumë tekste letrare për ta lavruar gegnishten dhe arbërishten. Shqetësimi se ligjërimi i gegnishtes, ka gjasa të jetë pengojcë e pranimit të shkrimtarit, paraqitet pa doreza nga Lankshi, kur nënvizon: Gjuha e Martin Camajt mund të jetë nji si pengesë tjetër në përceptimin e veprës. Në këtë hulli shprehet edhe Ardian Klosi: rezistenca gjuhësore, shprehur në ruatjen e gegnishtes letrare për brezat më të rinj, përbën një ndihmesë për gegnishten si ligjërim gjuhësor dhe letrar. Kuptohet se lëvrimi i gegnishtes shumëkujt nuk i ka pëlqyer, por ka edhe asish që i dëshirojnë se Camajt këndoi në gegnisht pa prajshëm. Shkrimi letrar, në variantin e gegnishtes, përbën një akt unik të cilin lexuesit dhe studiuesit e trajtojnë në linja të përkundërta:
A - Linja zyrtare e dy anëve të kufirit, profesorat dhe akademikët e Shqipërisë dhe Kosovës, faktin e shkrimit të gegnishtes e përjetojnë si një akt kundër zhvillimit që ka marrë gjuha/letërsia shqipe, mbas kodifikimit, me norma dhe rregulla (shpesh të kujton një rregullore ushtarake). Pasojë e qëndrimit, përjashtues të ligjërimit autorial, janë faktet e formulimit të krijimtarisë, si autor i së kaluarës, si poet vetëm i gegnishtes (sikur gegnishtja nuk i përket gjuhës shqipe), si poet cilësor dhe jo si prozator e dramaturg, pra gjithnjë duke ia harruar një pjesë të vlerave letrare. Linja e mallkimit të Camajt, për faktin e lëvrimit të gegnishtes, ka të bëjë:
- Me përjashtimin e variantit të hershëm, pra të Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit etj. , si dhe e kundrimit të formatit zanafillor të shqipes, vetëm me vlera gjuhësore dhe historike.
- Me shpërfilljen e ligjërimit të gegnishtes (arbërishtes), që të shpie tek viti 1972, që kodifikoi gjuhën shqipe, por realizojë ndalimin e ligjërimit të letërsisë si variant, e njëherit ndaloi veprën letrare të Fishtës, Pashkut, Zorbës, Reshpes etj.
- Me pikësynimin e realizuar në fshehtësi, përkthimin në gjuhën e njësuar (të De Radës, Serembes, Darës, ndërsa ka shpëtuar Z. Skiroi, sepse ka qenë anëtar i partisë fashiste), por edhe të ndonjë teksti në gegnishte.
- Me ngritjen e nivelit gjuhësor dhe letrar, nga shkrimtaria e Camajt, duke dëshmuar se koineja letrare e gegnishtes jo vetëm nuk ka vdekur, por ka shanset e mbijetesës si ligjërimit letrar.
Kjo linjë, e sheh këtë fakturë artistike si një mallkim dhe pengesë për t’u përfshirë në rrjedhat e letrave shqipe. Sipas gjasash të shpaluara me nëntekst dhe në heshtje, Camaj duke shkruar me këtë variant, kinse ka shkuar kundër prirjes së unifikimit të gjuhës letrare, çka në fakt është e vërtetë në kuptimin rapsodik dhe jashtëgjuhësor të gjuhës shqipe. Pra, në nivelin e shkrimit letrar (poezi, prozë dhe dramatikë), ka gjasa që Camaj ta ketë vetëpërjashtuar veten nga panteoni i letrave shqipe, simbas optikës dhe vizionit të studimtarisë zyrtare. Kjo mençuri dritëshkurtër, e titujmbajtësve (të cilët rrëmojnë më kot nëpër letërkëmbime dhe thkellinat e biografizmit, me shpresën se do të zbulojnë atë që në fakt e bartin tekstet letrare), ma tepër nuk ka lidhje me shkrimin e letrares.
B – Linja jozyrtare, që zë fill me idenë e Arshi Pipës mbi ikjen për shkaqe politike, të autorit, mbi krijimtarinë e Camajt, përmasat dhe modelin letrar, fakti i ligjërimit në gegnishte dhe arbërishtes (romani Karpa, tek Shkundullima, Fshati me gjuhë të fshehtë etj.), një tipar unik shënon lavdi për shkrimtarin. Lavdia dhe hyjnorja e Camajt, bart shenja jetike për shqiptimin letrar:
- Me shpresën se gegnishtja nuk ka « vdekur » përgjithmonë.
- Me aspiratën që gegnishtja nuk ka shans ta ndërpesë rrugëtimin.
- Me lartsynimin se gjuha e letërsisë/gjuha e autorit, si shenjë e literaritetit, nuk ka gjasa të njësohet me normat e njësuarishtes.
Përjetimi i realitetit letrar, estetik dhe gjuhësor, në variantin e gegnishtes, si dhe me prekla të arbërishtes, përbën një shkas për ta shijuar letraren e sendërgjuar. Termat, kinse shpjeguese, se i përket shkrimtarit të ekzilit, pra të mërgimtarit (të përjetshëm), është rrekje zgjatuese e përjashtimit, për ta shmangur, Camajn dhe çdo shkrimtar që nuk përfilli zyrtaritetin gjuhësor dhe letrar. Toeria letrare moderne, sugjeron se nuk ka peshë dhe rol parësor vendi se ku ka shkruar një autor, por gjuha dhe prania e shenjave letrare në tekstet letrare. Shkrimtarët e ekzilit, pra mërgimtarët e përjetshëm, siç janë emërtuar De Rada, Pashko Vasa dhe Sami Frashëri, në të kaluarën, Martin Camaj, Bilal Xhaferri dhe Arshi Pipa, në bashkëkohësi, nuk ka gjasa të mbeten përjetësisht në udhëkryqin ekzistencial. Rrethimi i Camajt, pamëdyshje i krijimtarisë letrare, në qarkun përjashtues të kësaj përvoje origjinale, pra si një mallkim i pashembulltë, në historinë e letërsisë shqipe, për faktin e ligjërimit të variantit të gegnishtes, njëherit edhe të lavdisë për këtë fakt shkrimi. Tekstet e Camajt, që i shkuan me vetëdijë, përkundër zyrtaritetit të gjuhës dhe të letërsisë, e shpëtuan gjuhën dhe letërsinë shqipe nga sterilizimi dhe përtharja si ngjyrim dhe shprehësi letrare. Vetiu zgjerohet gama e problemeve, teksa prekim qëndrimin e Camajt, si një rruginë e munguar, në shtjellimet akademizmit shqiptar, kur shprehet: Besoj se tue ecë krahas gegnishtja e tosknishtja e shkrueme letrare, si dy motra të mira, pa ia pré rrugën njana-tjetrës, kanë vijue ma^ me fryt të gje^jnë pikat e përbashkëta, si një shteg i lavrimit letrar. Pra, në këto koine, ku gegnishtja zë fill me Mesharin e Buzukut, e toskërishtes/arbërishtes, me E Mbasme e Kërshtenë të Matrëngës, nuk ka gjasa të ndërpritet ligjërimi letrar. Në mungesë të atdheut, në gjallje Camaj e kreu detyrën dhe misonin, e mbajti të ndezun kandilen e ligjërimit të gegnishtes, e tani në amshim u takon lexuesve dhe studiuesve ta lënë jashtë rrjedhave të letrares ose ta përfshijnë në panteonin e letrave shqipe. Kthimi i Camajt, ligjëruesi dalëzot i gegnishtes, por nga ana tjetër kthimi i gegnishtesh do të thotë lartim dhe vlerësim i krijimtarisë së Camajt. Nëse vonohemi, koha do ta bëjë me siguri, por bashkë me të koha do të hedh në kosh jo pak shqyrtime, pa i lexuar tekstet e Camajt. Prania si autor i bashkëkohësisë, që dëshiron ta zbulojë universin, me gegnishten, një fakt i sprovës dhe eksperimentit letrar, unike si gjuhëshkrim dhe shqiptim letrar, e ngjizur me vetëdije kreative, diçka shpëton nga nderi i humbur i letrares së shekullit të kaluar.

28 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›