Interi "përrallor" fluturon në çerekfinale
Triumfon Mourinjo. Në “shtëpinë” e vet trajneri portugez bën të heshtë një stadium i tërë dhe çon në qiellin e shtatë katër mijë tifozët e ardhur nga Milano. Ishte superInter ai që u pa në fushën e londinezëve në mbrëmjen e sotme, duke e dominuar plotësisht takimin nga fillimi në fund (aq sa në përfundim tifozët vendas duartrokitën fitimtarët).
“I veçanti” befasoi sërish, kur në fushë hodhi një formacion super sulmues: përveç Shnajderit si fantazist, përpara ishte edhe treshja Eto-Milito-Pandev. Jo vetëm rezultati, por edhe loja i dha të drejtë zgjedhjeve të teknikut zikaltër. Të bllokuar më të mirë nga mbrojtësit e Interit, sulmuesit Blu rrallë u panë në portën e Hulio Sezarit gjatë 45 minutave të para. Kurse në të dytën Interi kontrollon gjithçka, duke mos e lënë Çelsin të shfaqet për asnjë çast i rrezikshëm.
Ishte minuta e 78-të kur pas shpërdorimit të rasteve të njëpasnjëshme nga Milito dhe Pandev, Samuel Eto merr një pasim të artë nga Shnajder (më i miri për zikaltrit) dhe i gjendur përballë portierit Tërnbull, e dërgon topin në rrjetë. Këtu historia merr fund. Interi në çerekfinale, kurse Çelsi për herë të parë pas gjashtë sezonesh nuk e kalon fazën e 1/8-ave.
Çelsi 0 – 1 Inter, (Eto 78’)
Çelsi (4-3-3): Turnbull; Ivanovic, Alex, Terry, Zhirkov (73' Kalou); Ballack (62' J. Cole), Mikel, Lampard; Anelka, Drogba, Malouda. (Taylor, Carvalho, Bruma, Belletti, Sturridge). Trajner: Ancelotti
Inter (4-2-1-3): Julio Cesar; Maicon, Lucio, Samuel, Zanetti; Cambiasso, T. Motta (92' Materazzi); Sneijder (85' Mariga); Pandev (75' Stankovic), Milito, Eto'o. (Toldo, Santon, Cordoba, Quaresma). Trajner: Mourinho
Gjyqtar: Stark (Gjermani)
Kartonë të verdhë: Terry, Malouda (C), Lucio, T. Motta, Eto'o, Julio Cesar (I)
Karton i kuq: Drogba (C)