Interi, pranë kualifikimit, Napoli dorëzohet në Mynih
ITALI- Champions League duket një tjetër muz ikë për Interin, që mbrëmë ka fituar 2-1 ndaj Lilës, duke qenë me një këmbë në turin tjetër të këtij kompeticioni. Edhe pse nuk kanë bërë një ndeshje të jashtëzakonshme, zikaltërit kanë marrë fitoren e tretë radhazi në Ligën e Kampioneve dhe tashmë u mjafton vetëm një pikë në dy ndeshjet e mbetura për të qenë në turin tjetër të këtij kompeticioni. Ndaj francezëve të Lilë nuk ka qenë aspak e lehtë, megjithatë eksperienca e nënkampionëve të Italisë ka triumfuar përballë dëshirës dhe talentit të lojtarëve që drejtohen nga Rudi Garsia. Në "San Siro", Interit iu deshën 18 minuta lojë për të gjetur golin e avantazhit, pas një goditje këndi të shndërruar në gol nga Valter Samuel. Më pas, Zarate humb një mundësi të artë, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, Milito tregon edhe njëherë formën e tij skandaloze, duke gabuar dy herë fatalisht. Në fillim, ai nuk realizon 2 metra me portën, pas një pasimi me kokë të Stankoviç, ndërsa pak minuta më vonë, injoron dy lojtarë, duke mos pasuar edhe pse interistët ishin tre kundër një mbrojtësi. Gjithsesi, në minutën e 65-të ai korrigjon gjithçka, duke dërguar në rrjetë një top të bukur të Zanetit. Në takimin tjetër të grupit B, Trabzonspor e CSKA Moska nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola me njëra-tjetrën, duke ndihmuar indirekt Interin për të qenë më i qetë në krye. GRUPI A Gola dhe spektakël. I kanë patur të gjitha brenda dy ndeshjet e grupit A të Champions League, të zhvilluara mbrëmë. Në "Allianz Arena", Bajerni i Mynihut ka mposhtur 3-2 Napolin, në një sfidë që u duk si shëtitje, por që në minutat e fundit rrezikoi të kthehej në një "boomerang" për bavarezët e Jup Hejnkes. Kryesuesit e Bundesligës shënuan tre herë në pjesën e parë me anë të Mario Gomez, duke krijuar idenë se gjithçka përfundoi, por në fundin e pjesës së parë Fernandez realizoi golin e parë për italianët. Dalja me karton të kuq e Zunigës në minutën e 70-të nuk e trembi Napolin, që 11 minuta para fundit shënoi edhe golin e dytë, sërish me Fernandez. Me 10 vetë mbeti edhe Bajerni, pas kartonit të kuq të Badshtuber, megjithatë shifrat nuk ndryshuan deri në fund dhe gjermanët u ngjitën në kuotën e 10 pikëve. Ndërkohë, një fitore e madhe për Sitin e Mançinit, që ka mposhtur 3-0 në transfertë Vilarealin. Jaja Ture kaloi anglezët në avantazh në minutën e 30-të, ndërsa Mario Baloteli dyfishoi shifrat me një penallti në fundin e pjesës së parë. Në të dytën, ishte sërish Jaja Ture që realizoi, duke ngjitur "Citizens" në vendin e dytë dhe duke eliminuar përfundimisht Vilarealin.
(m.a/GSH/BalkanWeb)
(m.a/GSH/BalkanWeb)