E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Arnold Shqiperia e gjelber nder prioritetet e qeverise

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim kryetaren e Akademisë Mbretërore të Suedisë për Bujqësinë dhe Pyjet, akademiken, Sara Von Arnold.

Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Sara Von Arnold falënderimet për bashkëpunimin mes Suedisë dhe Shqipërisë fushën e hartimit të strategjisë së pyjeve.

Në këtë kontekst, Kryeministri falënderoi për kontributin e dhënë nga Akademia Mbretërore Suedeze për Bujqësinë dhe Pyjet, e cila në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit organizuan këto ditë në Tiranë, Konferencën mbi “Politikat pyjore në Shqipëri drejt standardeve të Bashkimit Evropian”.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të potencialeve të mëdha që ofron Shqipëria, si një vend shumë i pasur në burime hidrike, potenciale që mund ta shndërrojnë atë në “Shqipërinë e gjelbër”.

Kryeministri u shpreh se gjatë viteve të fundit qeveria shqiptare është angazhuar në 2 projekte të rëndësishme dhe shumë ambicioze, të cilët do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha e njohu zonjën Sara Von Arnold me projektin kombëtar të ullirit, i cili synonte rritjen numrit të rrënjëve nga 5 milion të trashëguara, në 20 milion rrënjë, brenda një periudhe 4 vjeçare.

Duke parë se ky kapacitet është shumë më i lartë, duke lejuar mbjelljen edhe të 30 milion rrënjëve të tjera, Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare po inkurajon dhe mbështet fermerët nëpërmjet subvencioneve financiare.

Ndër të tjera, kryeministri e njohu Kryetaren e Akademisë Mbretërore te Suedisë me një tjetër projekt shumë ambicioz në funksion të “Shqipërisë së gjelbër”, i cili është ai qindrafishimit të drurëve frutorë arrore, për të cilin po punohet është drejt përfundimit të tij.

Për sa i përket këtij projekti, Kryeministri theksoi se pyllëzimi me dru frutorë arrorë do të jetë një prioritet i qeverisë shqiptare në drejtim të programit ”Shqipëria e gjelbër”, të cilin ajo do ta mbështesë financiarisht në të gjitha hallkat e tij, që nga mbjelljet dhe deri tek produkti i përpunuar i tyre.

Nga ana e saj, Kryetarja e Akademisë Mbretërore te Suedisë për Bujqësinë dhe Pyjet, Prof. dr. Sara von Arnold vlerësoi potencialet madhore që ofron Shqipëria në tërësi, për një zhvillim të gjelbër, si dhe përpjekjet serioze të qeverisë shqiptare që nëpërmjet projekteve të rëndësishme po inkurajon dhe mbështet këtë zhvillim.

Kryeministri theksoi në takim se një aspekt tjetër i rëndësishëm për mirëmenaxhimin e pyjeve janë edhe reformat e ndërmarra në këtë drejtim ku më kryesorja ka qene decentralizimi i sipërfaqes së tokës pyjore, pra transferimi i sipërfaqes pyjore, pushtetit lokal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›