Interpol Tirana përmbyll një tjetër fazë të operacionit “The Wanted”, ekstradohet nga Gjermania një i shumëkërkuar

Interpol Tirana ka përmbyllur me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke bërë të mundur ekstradimin nga Gjermania drejt Shqipërisë të një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet E. L, 35 vjeç, i lindur në Tropojë, i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që operonte përmes mashtrimeve me Call Center.
Sipas hetimeve, ky grup i strukturuar kriminal u ka shkaktuar qytetarëve një dëm ekonomik që arrin në rreth 187 mijë euro.
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Shqipëri dhe homologëve të Interpol Wiesbaden në Gjermani, në kuadër të operacionit “The Wanted”.
Në korrik të vitit 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj 35-vjeçarit masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “mashtrimi kompjuterik”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Nga hetimet rezulton se E. L, në bashkëpunim me persona të tjerë, të organizuar si grup kriminal, përmes një Call Center-i të zbuluar në vitin 2024, kanë realizuar 17 raste dhe tentativa të mashtrimit kompjuterik.